Nderohen viktimat e masakrës në Cetinje, kërkohen dorëheqjet e para nga shteti

- Bota Sot

Nderohen viktimat e masakrës në Cetinje, kërkohen dorëheqjet e para nga shteti

Një grup qytetarësh kanë nderuar sonte me 12 minuta heshtjeje viktimat e vrasjes në Cetinje të Malit të Zi.

Si rezultat i të shtënave me armë zjarri, më 1 janar në këtë qytet mbetën të vrarë 12 persona, dy prej tyre fëmijë, ndërsa katër të tjerë u plagosën rëndë.

Qytetarët e mbledhur kanë paralajmëruar një tjetër tubim sonte para ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme në Podgoricë, ku do të dilet me pesë kërkesa, në mesin e të cilave edhe dorëheqja e ministrit të Brendshëm Danilo Sharanoviq dhe zëvendëskryeministrit për Siguri Aleks Beçiq.

Kërkesa e dytë është çmilitarizimi i shoqërisë, konfiskimi dhe asgjësimi i armëve të paligjshme dhe të fshehura. E treta - ngritja e policisë në komunitet dhe ndryshimi i qasjes së policisë ndaj qytetarëve.

Kërkesa e katërt është kthimi i arsimit qytetar si lëndë e detyrueshme në shkollat fillore dhe të mesme, dhe e pesta shpallja e moratoriumit për dhënien e patentës së armëve deri në ndryshimin e ligjit për armët.

Kujtojmë, autori i vrasjeve Aco Martinoviq vdiq gjatë dërgimit në Qendrën Klinike në Podgoricë, pasi qëlloi veten në kokë. Mali i Zi ndërkohë ka shpallur tri ditë zie.



Lexoni të gjitha në Bota Sot