Emir Asani shumë shpejtë i bashkohet KF Bashkimit!

- Bota Sot

Emir Asani shumë shpejtë i bashkohet KF Bashkimit!

Shkupjanin Emir Asani viti 2025 do ta gjejë me një skuadër të re.

Mesfushori shkupjan në pamundësi për të treguar vlerat e tij te FC Shkupi u vendos për të marrë këtë hap, me shpresë se te Bashkimi situata do të jetë më ndryshe dhe se pikërisht me paraqitjet e tij, ai do të ndihmojë “zigjelbërit” që në fund ëndërrën ta bëjnë realitet dhe të sigurojnë një vend për në elitën e futbollit maqedonas.

“Bashkimi është skuadër me shumë traditë, ndaj dhe mezi pres të filloj punën me këtë skuadër. Kanë mbetur vetëm edhe disa detaje të vogla rreth dokumentacionit tim të plotë dhe unë do jem pjesë e tyre” – thotë Emir Asani, që pranon se Bashkimi njëherit ishte edhe skuadra që i kishte ofruar kushtet më të mira.

“Mund të them se Bashkimi ishte skuadra që më ofroi kushtet më të mira. Unë kam vizituar hapësirat e këtij klubi dhe stadiumin, aty ku ‘Ilirët’ gjithnjë dijnë të krijojnë atmosferë. Kjo i duhet një skuadre, pasi e dimë se tifozët janë lojtari i 12-të, ndërsa ashtu besoj do jenë edhe në pjesën pranverore” – shprehet Emir Asani.

21-vjeçari Asani me Bashkimin e Kumanovës do të firmos kontratë 6 mujore, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.

Kujtojmë, Asani është një fëmijë i FC Shkupit, me të cilën skuadër kishte debutuar në elitën e futbollit vendor gjatë këtij sezoni aktual, edhe atë që në xhiron e parë kundër Voska Sport.

Ndryshe gjatë karrierës së tij, i njëjti kishte luajtur edhe me KF Arsimin nga Çegrani, ndërsa Bashkimi do të jetë skuadra e tij e tretë në karrierë, me të cilën do të tentojë të shkruaj historinë, duke u rikthyer pas shumë vitesh sërish në Ligën e Parë.

Bashkimi pjesën e parë të sezonit 2024/25 në Ligën e Dytë, e mbylli në pozitën e tretë me 32 pikë, vetëm një pikë më pak se Bregallnica e vendit të dytë, pozitë kjo që siguron një vend për në Ligën e Parë..



Lexoni të gjitha në Bota Sot