Pedri: Fitojmë Superkupën

- Bota Sot

Pedri: Fitojmë Superkupën

Barcelona është në një situatë të çuditshme. Nga njëra anë ajo përballet me një kalendar mjaft të ngjeshur në katër kompeticione (La Liga, Superkupa e Spanjës, Copa del Rey dhe Champions) në janar.

Nga ana tjetër ajo po rropatet dyerve të institucioneve e gjykatave për të zgjidhur çështjen e regjistrimit të dyshes Dani Olmo dhe Pau Viktor.

Në këtë situatë, Barça ka udhëtuar për në Arabinë Saudite ku nesër në mbrëmje (20:00) do të luajë në gjysmëfinale kundër Bilbaos. Mesfushori i Barcelonës, Pedri Gonzalez pranon se fitimi i Superkupës së Spanjës do të ishte i rëndësishëm për skuadrën dhe do të jepte shumë besim për të përballuar pjesën e dytë të sezonit.

Lojtari nga Ishujt Kanarie, i cili tashmë e fitoi këtë trofe në janar 2023, shpreson ta përsërisë këtë sukses. Por ai ka paralajmëruar rrezikun nga Atletik Bilbao.

“Superkupa është një trofe shumë i bukur, mbahet në mes të sezonit dhe kur bëhet fjalë për t’i dhënë besim ekipit është diçka shumë e mirë. Është çelësi për të përballuar pjesën tjetër të sezonit”, ka shpjeguar ai në një deklaratë për mediat zyrtare të klubit.

Pedri është një nga lojtarët që ka udhëtuar me ekipin për në Arabi, ku Barcelona do të debutojë të mërkurën kundër Bilbaos. Barcelona e ka mundur Bilbaon në këtë sezon në javën e dytë në La Liga. Megjithatë, mesfushori paralajmëron rrezikun e baskëve.

“Atletik Bilbao ka një ekip të madh, me lojtarë që bëjnë diferencën. Do të jetë e ndërlikuar. Ne i kemi mundur në La Liga në këtë sezon dhe duam ta bëjmë sërish”, vuri në dukje ai.

Për më tepër, Pedri ka kujtime të mira nga finalja që luajti në vitin 2023, kur blaugranat mposhtën Realin e Madridit 3-1 dhe ai vetë shënonte golin e tretë të Barcelonës. “E mbaj mend shumë mirë sepse shënova”, kujtoi mesfushori.



Lexoni të gjitha në Bota Sot