U arrestua në Stamboll, sot ekstradohet në Shqipëri i shumëkërkuari Dritan Rexhepi

- Gazeta e Prizrenit

U arrestua në Stamboll, sot ekstradohet në Shqipëri i shumëkërkuari Dritan Rexhepi
Shqiptari i shumëkërkuar Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi pritet të ekstradohet sot nga Turqia.

Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Shqipërisë përmes një njoftimi për mediat.

“Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Turqi, pritet që ditën e sotme, të ekstradohet në Shqipëri, shtetasi i shumëkërkuar Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi”, njofton policia.

Turqia e miratoi ekstradimin në Shqipëri të Dritan Rexhepit në shkurt të 2024-ës, i cili u arrestua në Stamboll në muajin nëntor të vitit 2023.

Mëngjesi i 10 nëntorit e gjeti ‘bosin’ e narkotrafikut shqiptar Dritan Rexhepi të prangosur në një vilë në Turqi, në të cilin ai kishte hyrë përmes një pasaporte kolumbiane të falsifikuar të regjistruar në emrin e Benjamin Omar Perez Garcia.

Në Shqipëri Dritan Rexhepi po gjykohet në mungesë në Gjykatën e Posaçme si porositës i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës, në 17 janar të vitit 2020.

I konsideruar si mjeshtri i arratisjeve nga burgjet shqiptare, italiane dhe belge, Dritan Rexhepi në mars të 2006-ës, u shpall fajtor dhe u dënua me 25 vite burg në mungesë për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keçi e Durim Kasmi në vitin 1998.

Kush është Dritan Rexhepi?

Shqiptari më i kërkuar në botë, Dritan (Gramos) Rexhepi, i arratisur nga burgjet e tri shteteve është cilësuar si vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri.

Ai akuzohet në Shqipëri për vrasjen e dy policëve.

Emri i tij lidhet edhe me rrëmbimin e Jan Prengës në Kamëz në janar të 2020, pasi vëllai i tij Astrit Prenga dyshohet se vodhi një sasi të konsiderueshme kokaine në Angli që vinte nga Amerika Latine, dhe që i përkiste pikërisht Rexhepit.

Rexhepi është lideri i një karteli droge, i cili ka trafikuar kokainë me vlerë qindra milionë euro nga Amerika e Jugut në Evropë.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit