Ditari i një tragjedie!

- Bota Sot

Ditari i një tragjedie!

Më dhjetë janar bëhen 40 vite, që kur në lagjen Mujaj të fshatit Shtiqen në Bashkinë e Kukësit (atëherë rrethi i Kukësi) ndodhi ngjarja e rëndë tragjike e rrëshiqtjes së borë në formë orteku nga shpatet e Gjalicës, e cila shkaktoi dhjetë viktima dhe dy-tri herë më shumë të plagosur. Ishte ditë e enjte e 10 janarit 1985. Së bashku me Adem Hallaçin, pasi bëmë një mbledhje të shtabit për situatën e vështirë të krijuar, u nisëm për në fahstin Pobreg i Sipërm, sepse kishim informacione se kishte probleme të shkaktuara nga bora e madhe dhe temperaturat e ulëta. Bora kishte arrit në mbi 1.5 metër, ndërsa temperaturat atë ditë ishin ulur në minus 15-20 gradë Celsius. Gjithçka ishte paralizuar.

Nga Pobregu i Sipërm u nisëm për në Pobregun e Poshtëm ose Breglumë, siç thirrej prej pak vitesh. , Një fshatar aty na tha se në Shtiqën te lagjja Muaj ishin dëgjuar krisma armësh dhe se atje diçka kishte ndodhur. Kur erdhëm të Uzina e Shkrirjës së Bakrit na thanë se në këtë lagje kishte rënë ortek dhe se situate ishte tragjike. Njoftova Sokol Çelën, i cili më doli në telefon dhe i thashë se aty ka ndodhur një fatkeqësi e madhe. Ai pastaj kishte njoftuar të gjithë drejtuesit e rrethit të Kukësit. U nisëm bashkë më Ademin dhe dy të tjerë drejt lagjes Mujaj, por kur u afruam pamë se bora ishte mbi tri metër për shkak të ortekut dhe ajo nuk na mbante në këmbë.

Nisëm të zvarriteshim mbi borë, por me shumë vështirësi, sepse edhe pse të shtrirë mbi të, sërishmi na lëshontë deri diku në thëllësinë e saj.

Arritëm në lagje rreth orës 15.45 të datës dhjetë janar. Pra pak më shumë se dy orë pasi kishte rënë oeteku dhe kishte këputur jetën e dhjetë personave, kishte shkatërruar e dëmtuar 28 shtëpi banimi dhe kishte plagosur po kaq njerëz. Shtëpitë e para të rrënuara qenë ato të Hysni Mujës dhe Daut Mujës, me të cilat ne u përballëm. Ishin bërë rrafsh me tokën. Njeriu i parë që takuam ishte Islam Basha, përgjegjës i investimeve në kooperativë. E pyeta se si është gjendja, na thuaj çfarë ka ndodhur? Ai na tha se në ato dy shtëpi vazhdonin kërkimet edhe të tre fëmijëve, të ciliët nuk ishin gjetur ende. I thashë që të mos largohej prej aty derisa të gjendeshin. Bashkë më Islamin ishin edhe nja 20 burra të tjerë, të cilët nuk merrnin në sy asnjë rrezik të shtuar me ortiqe të tjëra që mund të vinin nga shpati i malit të Gjalicës, e cila për shkak të karbonit të Uzinës Metalurgjike të Rexhepajt ishte thuajse plotësisht e zhveshur nga drurët. Nuk kishte as shkurre. Në një farë mënyre orteku qe pasojë e kësaj barbarie mbi mjedisin, pyjet dhe bimësinë e Gjalicës.

U ngjitëm më lart dhe u gjendëm te shtëpia e Hajredin Mujës. Aty takova Bilal Mujën. Bilali më thotë se kishte humbur vajzën dhe se kishte edhe tre pjestarë të familjës të plagosur. Ndërsa Hajredini, tha se nuk është gjetur ende. Pasi e ngushëllova, pashë te Bilali një zemër shumë të fortë. Ndonëse kishte dhimbjen e fëmijës së vet, nuk jepej. Kohët e vështira i forcojnë edhe zemrat e njerëzve. Ndërkaq aty ishin më shumë se 40 burra të fshatit, të cilët po pastronin borën në çdo skutë për të gjetur trupat atyre që ende nuk ishin gjetur. Esat Muja, vëllai Hajredinit nën gërmadha, po e drejtponte atë grup njerëzish solidarë, duke u kujdesur që të mos dëmtoheshin të humburit nën borë.

Më poshtë shoh se kishte zhurmë dhe bërtima. Ishte shtëpia Asllan Xhaferit. Në atë moment sa u afruam, nxorën nga orteku një grua. Kishte dhënë shpirt. Ishte Kade Asllan Pepkloka, bijë e kësaj familjeje, por e martuar në fshatin Shtanë të Shëmrisë. Burrat e grumbulluar këtu me lopata në duar kërkonin edhe nënën dhe vajzën e Kades. Pas një ore nëna e Kades, Melaimit, Feratit dhe Garipit u gjend e gjallë. Por vajza jo. Ajo kishte ndërruar jetë nën rrënoja. Pasi i ngushëlluam për humbjen e madhe e të trishtë, u rikthyem te shtëpia e Esat Mujës. Shtëpia ishte dëmtuar pak nga orteku. Ajo ishte dy kate. Në katin e parë përdhe trajtoheshin të plagosurit, ndërsa në katin e dytë ishin ata që kishin ndërruar jetë. Viktimat i rrjeshtuan njëri pas tjetrit. Ndërsa të plagosurit në katin e parë i ngrohnin në zjarrin e oxhakut të madh aty. Por me kujdes. Sepse nxehtësia e madhe pas të ftohtit ekstrem shkaktonte humbjen e të plagosurve rëndë. Ishte një tmerr I vërtetë. Në veshë të trokisnin se me çekiç thirrjet “Ujë”, “Of”, “Mbarova”! Dikush thërriste në ndihmë Zotin e dikush zevendësin e Zotit në tokë, nënën. Trishtim i madh. Kufoma në rrjesht dhe akth se sa mund të shtohej numri i tyre. Thirrjet e të plagosurve dëgjoheshin deri jashtë. Dukej sikur jehonin me dhimbje deri në qendrën e fshatit. Një djalë i ri, Garip Asllan Mujaj, kërkonte me insistim ujë. Thërriste me sa fuqi I kishte mbetur. Por mjeku, Shaqir Sheu, present nuk i lejonte.

Në këtë ngjarje protagonisti kryesor u bë pra mjeku kirurg Shaqir Shehu, një djalë nga fshati Shtiqen, i cili do të mbahet gjithmonë në mendjen time si heroi i zbutjes së dhimbjes së asaj tragjedie. Ai ishte një humanist i jashtëzakonshëm. Ia mori jetën edhe atij Covid-19. Por duke u rikthyer te ngjarja e 10 janarit 1985, nuk më hiqet nga mendja përpjekja që Shqiri bëri për ta shpëtuar një vajzë tri-katër vjeçare. Për gati një orë e mbajti frymën e saj me frymën e vet. Vraponte sa te njëri, te tjetri i plagosur. Diku bënte ndonjë injeksion, diku jepte frymën e vet. Për dikë këshillonte të mos i jepej ujë. Përpiqej të bënte të pamundurën. Përpiqesha t’i thosha ndonjë fjalë të mirë falenderimi, por ishte e pamundur. Aq shpejt lëvizte dhe i dukej se askush tjetër nuk gjendej në atë dhomë të vogël, përveç atyre njerëzve të plagosur e që kishin nevojë për ndihmën e tij.

Njerëzit ishin organizuar në disa grupe, sipas lokacionit, gjithnjë në kërkim të njerëzve të pagjetur që ishin ende nën dëborë. Ishin në veprim të gjithë. Shukri Muja e Haziz Beluli nuk ndaleshin. Hazizi pas disa kohësh do të pësonte aksident te ura e Uzinës dhe do të ndërronte jetë edhe ai në moshë shumë të re. Ishte një djalë, që nuk e njihte as frikën, as lodhjen. I jashtëzakonshëm! Por në ato grupe njerëzish dalloheshin edhe të tjerë. Si Idriz Shehu, Riza Gjuta, Shefki e Esat Muja, Shaqir Basha, Riza Cengu, Mahmut Basha. Nuk e harroj një djalë me emrin Bajram Gjuta, i cili me aq guxim dhe i vetëm ngjitej shpinë për shpinë me viktimat ose të plagosurit dhe duke u futur krahët e tij i merrte në shpinë e i çonte te dhomat përkatëse. Pa patur nevojën e ndihmës së dikujt tjetër.

Jashtë shtëpive të dëmtuara luftohej për gjetjen atyre që ende ishin nën rrënoja. Brenda shtëpisë luftohej për jetën e të plagosurve. Më pas nisëm që të plagosurit t’i ulim te shtëpia e Rakip Mujës, e cila kishte pak mundësi të rrezikohej nga ndonjë ortek i ri. Bashkë me Adem Hallaçin u nisëm për të shkuar në qendër të fshatit Shtiqen. Aty gjetëm Rakip Mujën, Bajram Axhamin e Riza Bashën. Rrugës pamë se traktorët kishin filluar punën për të hapur rrugët. Një prej traktorëve po pastronte borën te varrezat e fshatit, diku afër kryqëzimit të rrugëve që vinin nga Gostili e Uzina e Bakrit, afër qendrës së fshatit. Kur shkuam në qendër të fshatit ishte natë e errët, diku nga ora 20 e mbrëmjes. Riza Basha na ftoi te shtëpia e tij. Ai kishte një lidhje krushqie me Ademin.

Por në moment Rexhep Lekica na njofton se te lagjia Gjutaj kishte rrëshqit një ortek bore dhe rrezikonte banesat. Ashtu si ishim shkuam bashkë me Adem Hallaçin, Rakip Mujën e Riza Bashën për të parë se çfarë kishte ndodhur. Edhe aty nuk kaloje dot, veçse me zvarritje. Errësirë e plotë. Ora 21 e natës. Fryente një erë e ftohtë. Temperatura ishte minus 20 gradë. Ndërkohë vazhdonte të binte borë dhe na dukej sikur po kalojmë rrathët e ferrit. Pamë nga afër dhe gjetëm një banesë të dëmtuar. Thirrëm nga oborri i saj, por nuk u përgjigj njeri. Pamë nga një dritare që nuk ishte zënë nga orteku, nuk shihnim askënd. Besuam se njerëzit e asaj shtëpie kishin ikur te të afërmit e tyre, sepse në atë lagje ishte ndjerë rreziku i ortekut që heret. U kthyem dhe hymë te shtëpia e Rizait. U përpoqëm të hiqnim këpucët nga këmbët, por ishte e pamundur. Gjthçka kishte ngrirë. Duhej që për nja 15 minuta të ngroheshin te zjarri, këpucët të liroheshin dhe më pas t’i hiqnim. Kur hoqa një xhup ngjyrë jeshile me jakë leshi, pashë copat e akullit që ishin varur njësoj si ai akulli që shohim nganjëherë në strehat e shtëpive. Edhe pantallonat ishin ngrirë. Rizai më dha një palë pantallona të djalit të tij. Fatmirësisht tani ishim pranë zjarrit dhe sërishmi rrobat e këpucët do të thasheshin.

U ngrohëm, hëngrëm darkë dhe pushuam. Morëm informacionet dhe vumë re në atë moment se orteku kishte shkaktuar 7 viktima, 23 të plagosur dhe 28 shtëpi të rrënuara plotësisht ose të shkatërruara pjesërisht. Ishin të pagjetur ende edhe tre fëmijë, një fëmijë i Hysni Mujës dhe dy të tjerë të Daut Mujës. Gjatë natës nuk morëm ndonjë lajm tjetër të hidhur. Më hidhur se aq nuk besoj të kishte lajme ato ditë. Por as e keqja dhe as e mira nuk kanë fund. Në fund do të kishte gjithsej 10 viktima.

Të nesërmen në mengjes heret dolëm te qendra e fshatit. Bajram Axhamin e kishim lënë roje te telefoni. Ai na njoftoi se në lagjen Gjutaj nuk kishte asnjë viktimë nga orteku i mbrëmjes, sepse njerëzit ishin evakuuar. Filluan të vijnë nga Kukësi përfaqësuesit e rrethit. Erdhën fillimisht Vesel Kastrati dhe Todo Tozaj. Pastaj takuam Bajram Vatën e Llan Pekën. Oficeri Habib Murati kishte ardhur më parë dhe shoqëronte automjetet ushtarake, që në atë kohë quheshin “Zil”! Me ato mjete transportuam të plagosurit për në spitalin e Kukësit, por edhe viktimat për t’i sjellë të varrezat.

Të plagosurit vazhdonin të qëndronin tashmë te shtëpia e Rakip Mujës. Përveç Shaqir Shehut, i cili nuk kishte vënë gjumë në sy gjithë natën, aty erdhën dhe mjekët e palodhur, Osman Dafku, Ferik Alikaj, Xhevahir Haxhiu. Gratë e moshuara i mbanin të plagosurit në prehërin e tyre. U jepnin kurajo. U flisnin me zemrën e nënës. Ishte një solidaritet i jashtëzakonshëm. Edhe fëmijët kërkonin të kishin një rol në këtë histori tragjedie. Nisëm për në spital fillimisht 13 të plagosur, pa llogaritur në këtë numër edhe 5 të tjerë të plagosur lehtë. Më rëndë nga të tjerët ishin vajza e Bilal Mujës dhe ajo Zenel Hazirit. Në të gjitha këto përpjekje duhet të dalloj angazhimin e një njeriu që mund ta quaj etalon të drejtësisë dhe sakrificës, Avdi Hallaçin. Abdiu ishte larguar nga vendngjarja atë natë në orën 12 të natës dhe në ato kushte kishte shkuar i vetëm në Pobreg.

Ne u kthyem sërishmi në lagjen Mujaj dhe aty gjetëm Vesel Tushën. Në shtëpinë e Esat Mujës bëmë një mbledhje të shpejtë të shtabit të emergjëncës që kishim krijuar një ditë më parë dhe ndamë detyrat për sëcilin. P.sh për evakuimin e popullsisë i dhamë përgjegjësi Rakip Mujës. Për përgatitjen e kufomave për varrim e transportimin e tyre te holli i shkollës së mesme u ngarkua Sadik Shehu, i ati i mjekut të talentuar e human, Shaqir Shehu. Për kurorat dhe homazhet drejtoi i kësaj shkolle, Bashkim Axhami. Ndërkohë që hapjen e varrezave në ato kushte atmosferike, si detyra më e vështirë po e drejtonte me iniciativë Hasan Deda. Arkivolet do të vinin nga Kukësi dhe për këtë ishte angazhuar drejtori i Ndërmarrjes Komunale, Shefqet Qinami.

Megjithatë shqetësim ishte gjetja e tre fëmijëve të humbur nën rrënoja. Për këtë punonin dy grupe, me së paku prej 20 vetash secili. Dhe ndërsa vazhdonte procesi, u kthyem sërishmi në qendër të fshatit. Asllan Basha ishte i gatshëm gjithnjë në qendrën e informacionit. Ai përmes centralit të Uzinës së Bakrit më lidhi me Sulejman Bushatin, i cili sapo kishte dërguar një telegram ngushëllimi. I kërkova Sulës furnizime me ushqime dhe ndihma të tjera. Aty nga ora 11.00 hymë te shtëpia e Osman Bashës bashkë me Vesel Tushën dhe u ngrohëm pak. Kur dolëm nga shtëpia na shoqëronte Dervishi, vëllai i madh i Osmanit. Për dy minuta e gjetëm te zyra e informacionit dhe shoh që aty kishte ardhur sekretari i Komitetit të Partisë, Emri Qerimi dhe ai I Komitetit Ekzekutiv, Bajram Vata. Emriu po fliste në telefon me Sulejman Bushatin dhe pa marrë asnjë info nga ne po ankohej se këtu ka vetëm panik. Me ta ishte dhe komisiari I brigadës ushtarake, Fatri Bala, po ashtu kryetari Frontit të Rrethit, Selim Shehu. Po vinin në Shtiqën mbas 24 orësh, ndonëse qyteti me këtë fshat mbërrihej me këmbë për 45 minuta, sigurisht në kushte normale.

Nuk them se nuk kishte njerëz që largoheshin me shpejtësi nga shtëpitë e tyre. Por këtë ua kishim kërkuar vetë ne për të parandaluar ndonjë tragjedi tjetër si ajo në lagjen Mujaj. Largimin e disa familjeve të ngarkuara me rroba, Emriu e quante shfaqje paniku. Sigurisht që kishte edhe panik e frikë te njerëzit. Por për raportimin e sekretarit të Partisë së rrethit u detyrova të reagoj. Thashë se ky nuk është panik, është frikë, është masë parandalimi. Ju nuk mund të vini këtu pas 24 orësh e të na sulmoni, sikur ne nuk ekzistonim, nuk ishim në punë dhe nuk po bënim gjithçka çfarë është e mundur për ta përballuar situatën. Nga ana tjetër ju nuk morët asnjë informacion nga ne, që të raportoni te sekretari I Parë I Partisë, se këtu ka anarki. Ishte një përplasje ndoshta e kotë. Por ia vlejti. Sepse më pas filloi të interesohet për situatën. Më kërkoi dhe planin e masave për përballimin e kësaj situate. Sigurisht që gjithçka e kishim projektuar, me persona përgjegjës dhe me përpikmëri.

I rikthyem në lagjen Mujaj. Më thonë se ka ardhur prokurori I rrethit, Avdi Gashi, së bashku me nja katër të tjerë. Kur hyra në dhomën ku ata qëndronin, më thonë se kishin ardhur me mjete të posaçme për të marrë vajzën e Asllan Xhaferit dhe djalin e saj e për t’i varrisur në fshatin Shtanë, ku ajo ishte e martuar. Kërkesa ishte logjike, sipas zakonit. Por temperatura vetëm ulej. Shkoi më shumë se munis 20 gradë. Acar e ftohtë i madh. Megjithatë nuk i penguam. Kur po niseshin për rrugë, takuam aty afër varrezave, Rakip Ballën, Muharrem Mezinin, Nestor Savën, Arseni Strokën, Besim Shahinin dhe Çapajev Taçin. Ata iu lutën Avdi Gashit që viktimat të varroseshin në Shtiqen, por nuk qe e thënë.

Në orën 15.00 të datës 11 janar u bë ceremonia e varrimit të tetë viktimave. Dy prej tyre, siç thamë, u morën për t’i varrosur në Shtanë. Varrezat ende nuk kishin përfunduar plotësisht. U kthyem shpejt dhe me forca të shtuara mbaroi edhe ky proces. Në orën e caktuar u shfaqën tetë arkivolet e mbështjella me copë në ngjyrën e kuqe. Pjestarët e familjeve dhe të afërmit e viktimave i shoqëronin këto arkivole në atë acar të paparë më heret. Ndërsa pjesmarrja e njerëzve ishte çuditërisht disi e vogël. Diku te 300 pjesmarrës në atë varrim. Megjithatë drejtori i shkollës, bashkim Axhami, e organizoi thuajse perfekt gjithçka. Por për përmasat e tragjedisë dhe traditën e krijuar kjo pjesmarrje konsiderohej disi e ulët.

Në atë situatë trishtimi kur varrosnim tetë viktima dhe dy të tjera i përcollëm për diku tjetër, kishte vetëm lot dhe pikëllim.

Me datën 12 janar sërishmi verifikuam nëse ka ose jo më rrezik të vinte ndonjë ortek tjetër. Por tepmperaturat e ulëta kishin krijuar një akullnajë mbi borën prej 2 metër lartësi. Dukej se rreziku për ortiqe kishte kaluar. Megjithatë u desh që të prisnim sërimi vizitorë të tjerë nga qyteti i Kukësit, ndër ta dhe Sulejman Bushatin. Ndërsa mbasdite u kthyem në qytet. Fillimisht shkuam të spitali dhe vizituam të plagosurit. Me datën 15 janar 1985 erdhi në Shtiqën ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai. Pas gjashtë muajsh të 28 familjet e mbetura pa strehë hynë në banësat e tyre të reja të ndërtuara te lagjja e Shehlerëve, afër Gostilit. Në inagurimin e tyre ishtei dhe kryeministri I kohës, Adil Çarçani.



Lexoni të gjitha në Bota Sot