Klubi anglez West Ham United, pas një sërë rezultatesh të këqija, ka ndërruar trajner duke emëruar tashmë Graham Potter në krye të ekipit.
Drejtuesit e West Ham shkarkuan trajnerin spanjoll Julen Lopetegui, pasi në 22 ndeshje në të gjitha garat këtë sezon arriti shtatë fitore, pesë barazime dhe dhjetë humbje.
Anglezi Graham Potter, ish-strategu i Brighton dhe Chelsea, u bë trajneri i ri i West Ham, duke nënshkruar një kontratë për dy vjet e gjysmë me londinezët.
“West Ham United është i kënaqur të mirëpresë Graham Potter si trajnerin e ri të klubit. 49-vjeçari i bashkohet Hammers me një kontratë dyvjeçare e gjysmë”, thuhet në njoftimin e West Hamit.
Në anën tjetër, pas nënshkrimi të kontratës i lumtur u shpreh edhe trajneri anglez.
“Jam i lumtur që jam këtu. Ishte e rëndësishme për mua të prisja derisa të shfaqej një punë që e ndjeja se më përshtatej, dhe po aq i përshtatet edhe klubit ku do të bashkohem. Kjo është ndjenja që kam me West Ham”, ka thënë Potter.
West Ham është vetëm në vendin e 14-të në tabelë me 23 pikë të fituara, shtatë më shumë se zona e rënies.