Ancelottii: E mbyllëm vitin me trofe, kërkojmë ta nisim me një tjetër

- Bota Sot

Ancelottii: E mbyllëm vitin me trofe, kërkojmë ta nisim me një tjetër

Trajneri i Realit të Madridit, Carlo Ancelotti është shfaqur disi me vonesë në konferencën për shtyp para gjysmëfinales së Superkupës së Spanjës kundër Majorkës sonte në mbrëmje.Shkak u bë trafiku i rënduar që bllokoi autobusin e ekipit të bardhë në autostradë.

Përtej kësaj, Ançeloti ka qenë si gjithnjë serioz dhe i respektuar përkundrejt rivalit të sotëm, Majorkës. Por natyrisht që dhe ai ka pasur momentet e veta në konferencë, ndoshta i bezdisur nga pyetjet e shumta në lidhje me Viniciusin (katër të tilla). Duke iu referuar Majorkës, italiani foli shumë mirë për ishullorët dhe punën e Hagoba Arrasates.

“Ne kemi shumë respekt për cilësinë e tyre dhe punën e trajnerit. Ne duhet t’i respektojmë ata në maksimum. Skuadrat e Hagobas janë të ndërtuara mjaft mirë. Ai di të përfitojë nga cilësitë e lojtarëve të tij në mënyrë perfekte. Ndaj ne jemi të paralajmëruar”, tha Ançeloti.

Tekniku madrilen gjithsesi ka sqaruar se skuadra që drejton është përgatitur mjaft mirë për këtë kompeticion të cilit dëshiron t’i shkojë deri në fund.

“Superkupa është një kompeticion i rëndësishëm.

Është kompeticioni i parë i vitit. Na ka sjellë shumë motivim në sezonin e kaluar që u mbyll shkëlqyeshëm dhe besoj se na motivon njëlloj edhe në këtë edicion të ri.

E mbyllëm vitin e kaluar me një trofe dhe shpresojmë ta nisim 2025-ën me një tjetër të tillë”, shtoi italiani.

Për të ardhur te Vinicius dhe breshëria e pyetjeve në adresë të brazilianit, i cili i ka shpëtuar një pezullimi më të rëndë dhe do të jetë gati për të qenë titullar sonte në mbrëmje.

“Unë vazhdoj të mendoj se pezullimi me dy ndeshje në La Liga është i gabuar. Jemi të pakënaqur me këtë vendim.

Nga ana tjetër jemi të kënaqur me Viniciusin në të gjitha aspektet. Kur bëhet fjalë për provokimet e Viniciusit më duket se ka padrejtësi.

Dhe ai fajësohet për gjithçka duke e devijuar shënjestrën nga ofendimet e çdo ngjyre që merr”, tha Ancelotti.



Lexoni të gjitha në Bota Sot