Arteta ia vendos fajin

- Bota Sot

Arteta ia vendos fajin

Menaxheri i Arsenalit, Mikel Arteta, sugjeroi në mënyrë të çuditshme se topi i Kupës Karabao ndikoi në humbjen 2-0 të ekipit të tij ndaj Njukasëllit të martën.

Por “Topçinjtë” do të detyrohen të luajnë me një tjetër top të ndryshëm këtë fundjavë, kur do të përballen me Mançester Junajtid në raundin e tretë të Kupës FA.

Siç qëndrojnë gjërat, Arsenali mbetet në garë në katër kompeticione të ndryshme të mëdha, secila prej të cilave përdor një top të ndryshëm. Arteta theksoi ndryshimin kryesor midis topave të Kupës Karabao dhe Premier Ligës pas humbjes në gjysmëfinalen e parë 0-2 ndaj Njukasëllit të martën, duke përmendur rastet e shumta të humbura për skuadrën e tij.

“Ne gjithashtu kemi goditur shumë topa mbi shtyllë dhe është problem që këta topa të fluturojnë shumë, kështu që ka detaje që mund t’i bëjmë më mirë. Por në fund kjo iku, nuk ka asnjë mënyrë kthimi, ka të bëjë me ndeshjen e radhës dhe kjo është bota jonë, realiteti është bota jonë. Ai është thjesht ndryshe. Është shumë ndryshe nga një top Premier Lige dhe duhet të përshtateni me këtë, sepse fluturon ndryshe. Kur e prekni, fërkimi është gjithashtu shumë i ndryshëm”.

Në përgjigje të komenteve të Artetës, një zëdhënës i “EFL”-së tha: “Siç kërkohet gjatë gjithë lojës profesionale, topi ‘PUMA’ i përdorur në Kupën Karabao i këtij sezoni dhe në Futbollin e Ligës Angleze që nga viti 2021-22 është testuar në përputhje me Programin e Cilësisë së FIFAs për futboll, dhe plotëson standardin ‘FIFA Quality Pro’. Përveç Kupës Karabao, i njëjti top është përdorur me sukses në ligat e tjera të mëdha evropiane, duke përfshirë Serinë A dhe La Liga dhe tre divizionet tona në EFL.

Të gjitha klubet luajnë me të njëjtin top dhe ne nuk kemi marrë komente të mëtejshme të kësaj natyre pas asnjë prej 88 ndeshjeve të mëparshme që janë zhvilluar në Kupën Karabao të këtij sezoni”. Topi i Karabao i kritikuar nga Arteta do të përdoret në Premier Ligë sezonin e ardhshëm. Në Kupën FA luhet me topin “Mitre”, ndërsa në Champions me “Adidas” dhe Premier Ligë me “Nike”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot