Shoqëria gjermane e fluturimeve, Lufthansa njoftoi se po kërkon qindra pilotë të rinj, stjuardesa dhe staf tokësor. Lajmi vjen pavarësisht konflikteve të rëndësishme brenda kompanisë gjatë gjithë vitit 2024. Lufthansa planifikon të shtojë rreth 10.000 punonjës në radhët e saj në vitin 2025.
Kompania synon të përfshijë "2000 stjuardesa, 1400 punonjës për operacionet tokësore dhe rreth 1300 ekspertë teknikë", u bë e ditur në një deklaratë, duke shtuar se po kërkon gjithashtu 1200 punonjës të administratës dhe 800 pilotë të rinj.
Lufthansa shtoi se më shumë se gjysma e punësimeve të reja janë planifikuar në Gjermani. Filialet Eurowings dhe Austrian Airlines do të kërkojnë gjithashtu qindra punonjës të rinj.
Punësim pavarësisht nga konfliktet e punës
Lufthansa mbetet një punëdhënës tërheqës, thotë drejtori i burimeve njerëzore Michael Niggemann. Në tre vitet e fundit, kompania shtoi 30.000 punonjës të rinj. Vitin e kaluar, financat e kompanisë u goditën nga mosmarrëveshjet e punës, të cilat i kushtuan Grupit Lufthansa rreth 450 milionë euro (463 milionë dollarë). Në total, Lufthansa punëson rreth 100.000 njerëz në 90 vende.
Do të ketë më pak punësime se vitin e kaluar në kompaninë kryesore ajrore, Lufthansa Airlines, e cila aktualisht po kryen një program për uljen e kostove.
Njoftimi i Lufthansas për punësime masive vjen pasi industritë e mëdha gjermane kanë mijëra pushime nga puna ose kërcënime për pushime nga puna.
Sektori i udhëtimeve kohët e fundit ka përjetuar lulëzim
Shenja pozitive ka edhe në sektorin e udhëtimeve. Shoqata Gjermane e Udhëtimeve (DRV) parashikoi se shpenzimet e udhëtimit të konsumatorëve do të vazhdojnë të rriten këtë vit pavarësisht nga situata e vështirë ekonomike.
Biznesi në Evropën Jugore në qendër të vëmendjes
Me sa duket, të hënën e ardhshme Lufthansa do të finalizojë blerjen e linjës ajrore shtetërore italiane Ita. Sipas dpa, drejtori ekzekutiv i Lufthansas, Carsten Spohr e njoftoi datën në një aktivitet për punonjësit. Kjo synon të forcojë tregun interesant të Evropës Jugore.
Komisioni Evropian po e shqyrton nga afër këtë blerje. Janë vendosur një sërë kushtesh për të siguruar që konkurrentët Easyjet, Air France-KLM dhe IAG me British Airways dhe Iberia të mos mbeten jashtë biznesit.