Një ndalim 72-orësh për transportin e lopëve, derrave, deleve, dhive dhe kafshëve të tjera si deve dhe llama ka hyrë në fuqi në Brandenburg dhe dy kopshte zoologjike të Berlinit gjithashtu janë mbyllur.
Kjo masë vjen pasi autoritetet në shtetin e Brandenburgut, që rrethon Berlinin, njoftuan se një fermer gjeti tre nga një tufë 14 trupa buallësh të ngordhur në Hoenow, pak jashtë kufijve të qytetit.
Instituti Kombëtar i Shëndetit të Kafshëve i Gjermanisë konfirmoi se sëmundja Afta Epizootike ishte zbuluar në mostrat e një kafshe dhe pjesa tjetër e tufës u ther.
Deri më tani, nuk është e qartë se si ishin infektuar kafshët, shkruan euronews.
Por, autoritetet thanë se rreth 200 derra në një fermë në Ahrensfelde, afër vendit ku u zbulua shpërthimi, do të theren si masë paraprake.
Raportohet se sëmundja virale shumë ngjitëse prek kafshët dythundrake si bagëtitë, derrat dhe delet.
Dhe ekzistojnë rregulla të forta ndërkombëtare për të ndaluar transmetimin e saj.
Ndërsa sëmundja nuk prek njerëzit, ata mund ta bartin atë dhe të infektojnë kafshët.
Shkalla e vdekshmërisë është zakonisht e ulët, por sëmundja mund t’i bëjë kafshët të sëmuren me ethe, ulje të oreksit dhe simptoma të tjera.
Në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2001 Afta Epizootike bëri që autoritetet të vrasin rreth gjashtë milionë bagëti.
Ndryshe, shpërthimi i fundit në Gjermani ishte në vitin 1988 dhe i fundit në Evropë në vitin 2011, sipas institutit gjerman të shëndetit të kafshëve.