Protestat dhe bllokadat në Serbi, pas shembjes së tendës së stacionit hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024 ku humbën jetën 15 persona, mbështeten nga 61 për qind e qytetarëve, sipas një sondazhi të opinionit publik nga organizata joqeveritare Crta.
Organizata theksoi se hulumtimi ka treguar se çdo i dhjeti qytetar që është më afër partisë në pushtet i mbështet protestat, si dhe një e katërta e atyre që ndjekin vetëm mediat pranë qeverisë.
"Ka shumë më tepër qytetarë që besojnë në dëshirat e sinqerta të të rinjve për të përcaktuar përgjegjësinë për jetët e humbura (58 për qind) sesa ata që i shohin veprimet e studentëve si një përpjekje tjetër nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm për të përmbysur Serbinë (33 për qind)", thuhet në deklaratë.
Qytetarët kanë besimin më të madh te studentët (44 për qind) se do të ngulmojnë në kërkesat e tyre për vendosjen e drejtësisë, të ndjekur nga qytetarët që protestojnë (37 për qind). 28 për qind e të anketuarve kanë besim të tillë te prokuroria dhe 27 për qind te presidenti.
Sondazhi tregoi se gjysma e qytetarëve 51 për qind nuk mendojnë se protestat janë vepër e opozitës, që synojnë marrjen e pushtetit.
"Ka edhe më shumë nga ata (59 për qind) që nuk mendojnë se incidentet në protesta ishin vetëm qytetarë të zakonshëm të cilët ishin të mërzitur nga bllokimet e trafikut," thuhet në deklaratë.
Sipas mendimit të shumicës së qytetarëve (48 për qind), përgjegjësinë politike për shembjen e tendës duhet ta kenë ministrat përkatës, të ndjekur nga presidenti i Serbisë 39 për qind.
Hulumtimi tregoi se përgjegjësinë penale e kanë, siç besojnë 67 për qind e qytetarëve, kontraktuesit dhe në një masë më të vogël (58 për qind) autoritetet mbikëqyrëse.
Në rast të referendumit, 52 për qind e qytetarëve do të mohonin, ndërsa 34 për qind do të tregonin besim te presidenti. Për zgjedhjet e parakohshme, mendimet janë të ndara, si dhe për çështjen e kushteve në të cilat zgjedhjet do të mbaheshin, thuhet në deklaratë.
Më shumë se gjysma e të anketuarve (57 për qind) mendojnë se Serbia po lëviz në drejtimin e gabuar dhe një e treta e pranojnë korrupsionin si problemin më të madh me të cilin përballen individualisht dhe si shoqëri.
Çdo i pesti i anketuar është më i shqetësuar për krimin, dhe pak më pak se një e pesta e popullsisë së rritur (18 për qind) janë të shqetësuar nga protestat aktuale. Kosova përmendet si problem nga 11 për qind e qytetarëve, tregoi sondazhi.
Sondazhi është realizuar me 1030 të anketuar në Serbi nga 20-28 dhjetor 2024. /BETA