Moratti: Nuk jam penduar që e shita Interin

- Bota Sot

Moratti: Nuk jam penduar që e shita Interin

Kush më mirë se Massimo Moratti mund të shpjegojë se çfarë do të thotë të jesh president i një klubi futbolli?

Me siguri janë pak njerëz në Itali që mund ta bëjnë këtë, ndaj mendimi i tij mbetet shumë i vlefshëm.

Në një intervistë për “La Repubblica”, ish-presidenti i Interit ka rikujtuar momentet e shitjes së klubit zikaltër:

“Fillova ta mendoja që në vitin 2011 se duhej dikush tjetër në krye.

Tifozët nuk janë të lumtur nëse kanë një president të pasionuar, por që nuk ka mundësi të shpenzojë. Kështu që, kur u shfaq interesimi i Erick Thohir, vendosa të tërhiqesha, të bëja një hap pas. Ishte një person inteligjent dhe kishte mjetet e duhura. Me shitjen te familja Zhang, edhe ai bëri një marrëveshje të mirë”.

Pse presidentët si ju po zhduken?
Futbolli po shkon atje ku ka më shumë mundësi ekonomike, është normale. Këtu po flasim për fonde investimesh, për para të shumë njerëzve, ose për familje me pasuri të jashtëzakonshme si vëllezërit ‘Hartono’, pronarët e Como-s, që mund të përballojnë kostot e larta të menaxhimit të një klubi të Serie A sot.

Megjithatë, dikush po qëndron ende…
Po, dhe jam i lumtur për këtë, por futbolli çdo vit bëhet biznes gjithnjë e më i shtrenjtë, një lojë e rrezikshme për ta mbajtur. Nëse marrin një ofertë të mirë, edhe ata do të shesin. Serie A po shkon drejt një lige me pronësi tërësisht të huaj. Rruga është kjo. Spektatorët nuk shqetësohen për kombësinë, për ta mjafton që klubi të jetë serioz.

A jeni penduar ndonjëherë që e shitët Interin?
Jo, çdo gjë ka kohën e saj dhe unë e konsumova mirë timen. Mendoj shpesh për Interin tim, por nuk kam ndjerë kurrë nostalgji për vitet e mia si president. Ishte e drejtë të bëja një hap pas, por ishte një aventurë e mrekullueshme.



Lexoni të gjitha në Bota Sot