Aksioni i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit që u zhvillua të hënën në Gjakovë rezultoi me arrestimin e tre inspektorëve të ATK-së të dyshuar për marrje ryshfeti.
Tre të arrestuarit Dukagjin Nikaj, Afrim Gjokaj dhe Elhami Qorkadiu, dyshohen se në periudha të ndryshme kohore dhe në lokacione të ndryshme në Gjakovë, kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet.
Media ka mësuar se në dosjen e rastit thuhet se në këmbim të moskryerjes së kontrollit apo edhe mos ndëshkimit sipas ligjit, tre inspektorët kanë pranuar ryshfet në shuma të ndryshme nga 200 deri në 300 euro, në raste të ndara, si dhe të mira materiale të ndryshme pa pagesë nga pronarët e bizneseve në Komunën e Gjakovës.
Nga Policia e kanë konfirmuar se duke zbatuar masat hetimore, janë siguruar dëshmi se tre të dyshuarit, me qëllim të përfitimit pasuror, kanë pranuar ryshfet.
“Sot, më datë 20.01.2025, me Urdhër nga Gjykata Themelore në Gjakovë në koordinim me prokurorin përgjegjës të rastit janë kontrolluar tri objektet e banimit të personave të dyshuar (dy në Gjakovë dhe një në Pejë) ku janë siguruar prova materiale që ndërlidhen me rastin.
Gjatë kontrollit janë sekuestruara dëshmitë si në vijim:
para të gatshme 11600 Euro,
katër (4) telefona mobil
një ( 1 ) IPOD
një (1) pasaportë e Republikës se Shqipërisë
një (1) letërnjoftim i Republikës se Shqipërisë ” – njoftoi Policia.
Tre të dyshuarit janë intervistuar dhe me aktvendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.