Bashkëbisedim me profesor Mustafë Krasniqin

- Bota Sot

Bashkëbisedim me profesor Mustafë Krasniqin

Z. Krasniqi, a mund të na tregoni se kush është KKAD-ja e cila është veprimtaria e saj dhe synimi?

Mustafë Krasniqi: Fillimisht ju përshëndes ju, nxënësit, prindërit, mësuesit dhe bashkatdhetarët, shqiptarët kudo që janë dhe uroj që ky vit të na gjejë të bashkuar në rrugën e rilindësve tanë.

Këshill Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), tashmë ka një emër të njohur për shumëkë dhe mision ka ruajtën e gjuhës amtare te fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, që si qëllim primarë ka bashkëpunimin me institucionet tona, për një mësimdhënie të unifikuar, e të koordinuar, në funksionin e mbrojtjes së gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar.

Themelimi i saj është shtyrë nga fakti se numri i atyre nxënësve që duhet ta vijonin mësimin plotësues në gjuhën shqipe ishte tepër simbolik. Me këtë shqetësim, një grup mësuesish morën përgjegjësi për t`i shërbyer shkollës shqipe në mërgatë dhe për të qenë sa më afër fëmijëve shqiptarë, që lindin dhe rriten larg atdheut. Si objektiv kryesor ishte krijimi i një ure bashkëpunimi në mes të mësuesve të të gjitha shkollave dhe bashkëkombësve, që jetojnë jashtë kufijve të trojeve shqiptare në diasporë dhe një lidhje shpirtërore me të.

Kjo nismë ishte me iniciativën e profesoreshës së nderuar dr. Adriana Fishta – Bejko në bashkëpunim me grupin e mësuesve nismëtarë për themelimin e një këshilli gjithëpërfshirës, i cili në pajtim me mësuesit e pranishëm u themelua me emin “Këshilli i Mësimit Shqip në Diasporë” (KMSHD), më 4 korrik të vitit 2020. Ndërsa më datën 29 tetor të vitit 2020 në takimin e rregullt të këshillit, i pranishëm ishte edhe Ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko. Në bashkëpunim me QBD-në dhe drejtoreshën znj. Mimoza Hysa u propozua ndryshimi i emrit në: “Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë” (KKAD), me arsyetimin se këshilli duhet të jetë koordinues në platformë unifikuese për mbarë diasporën shqiptare.

Z. Krasniqi a e keni përkrahjen e dy shteteve tona dhe sa janë duke bashkëpunuar, në këtë drejtim?

Mustafë Krasniqi: Duke iu përgjigjur pyetjes suaj, ju njoftoj se ne si KKAD, ju kemi drejtuar institucioneve arsimore të të dyja vendeve tona kërkesën: Të jemi pjesë e pandashme e atdheut, duke na njohur institucionalisht si organ këshillues dhe koordinues për shkollat shqipe në diasporë.

Kërkesës sonë i është përgjigjur VKM-ja e Republikës së Shqipërisë me nr. 1033 datë 16.12.2020 ku sipas pikës 13/5, thuhet: “Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporë bëhet pjesë e konsultimeve dypalëshe, me dakordësim paraprak, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, në funksion të marrëveshjeve për mësimdhënien në diasporë”.

Këtë veprim të njohjes, a e mori edhe Republika e Kosovës?

Mustafë Krasniqi: Bashkëpunimi nuk na ka munguar nga ministritë e arsimit të të dyja shteteve tona Vlen të theksohet takimi më datë 25.05.2021 përmes platformës virtuale, që pati kryesia e KKAD-së me ministren e arsimit, shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, ku përpos shumë takimeve të tjera, ajo u njoftua për përgjegjësitë që ka marrë mbi vete KKAD-ja në funksion të mbrojtjes së gjuhës shqipe në diasporë. Edhe pse kemi një VKM nga shteti shqiptar, ne në të gjitha takimet; kërkesat, njoftimet dhe ftesat i kemi drejtuar edhe drejt institucioneve të Arsimit apo ato të Diasporës së Republikës së Kosovës, me të cilat gjithmonë kemi bashkëpunuar dhe në vazhdimësi kemi kërkuar dhe kërkojmë bashkëpunim.

Përpos takimeve me Ministrin e Arsimit të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, kemi pasur takime edhe me Ministrin e Arsimit rezident të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Shumicën e këtyre takimeve i kemi mbajtur përmes platformës zoom, disa nga takimet janë mbajtur në prani fizike në Tiranë dhe Prishtinë.

Vlen të ceket mbajtja e Kuvendit të mësuesve në diasporë, në bashkëpunim me QBD-në dhe KKD-në, më 09 – 10 mars 2024 në qytetin e Ausburgut të Gjermanisë për dy ditë radhazi me temë: “Ruajtja e gjuhës amtare te fëmijët e mërgatës shqiptare”. Kuvendi mblodhi mësues dhe përfaqësues të shkollave shqipe nga shtete të ndryshme, ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe. Në këtë Kuvend përpos mësuesve e përfaqësuesve të Lidhjeve apo Shoqatave të shkollave shqipe, të pranishme ishin edhe institucionet e Republikës së Shqipërisë, Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut.

Institucionet tona kanë qenë të njoftuara për gjithë punën dhe veprimtarinë tonë, ndërsa Qendra e Botimeve për Diasporën, ishte ajo që i ka përcjellë të gjitha kërkesat tona . Ajo që dua të veçoj janë :tekstet shkollore të nivelit të parë dhe të dytë, të cilat nxënësit i kanë tani më në duart e tyre dhe presim që këtë vit shkollor t`i kemi edhe tekstet e nivelit të tretë. Këto ditë për lexuesit u vu në funksion gazeta online (https://kkad.al) nga KKAD-ja, me përkrahjen e QBD-së.

Z. Krasniqi, a mund të na thoni për sfidat dhe sukseset e KKAD-së?

Mustafë Krasniqi: Kishim e kemi edhe sfida, por tani do të flasim për sukseset e KKAD-së. Së pari do të flasim për kontributin e QDB-së, konkretisht të dr. Mimoza Hysa dhe të ish-kryetarit të KKAD-së dr. Vaxhid Sejdiu dhënë për shkollën shqipe në diasporë. Për Drejtoreshën znj. Hysa, me kompetencë e them se ishte fati ynë, që ta kemi në këtë detyrë. Shumëherë përtej mundësive ka dhënë dhe jep kontributin e saj, edhe ne i jemi mirënjohës. Po ashtu edhe z. Sejdiu është një ndër shtyllat kryesore dhe shembull më i mirë i një mësuesi se si duhet të punohet dhe të arrihen sukseset për shkollën shqipe.

Sukseset e KKAD-së janë të mëdha dhe vlen të theksohet se ne ishim të parët që theksuam se fëmijët shqiptarë në mërgatë kanë nevojë për tekste shkollore, gjë që sot i kemi këto tekste shkollore të nivelit të parë, të dytë dhe pritet së shpejti të dalin edhe të nivelit të tretë.

Susesi ishte edhe ai i 7 marsit 2023, projekti “Një lule Për Mësuesin”, mbajtja e takimeve për Kongresin e Manastirit, për festat kombëtare, propozime dhe këshilldhënie. Por, jetësimi dhe dëshmimi i suksesit është Kuvendi i punës që u mbajt në Bavari të Gjermanisë më datën 9-10 mars 2024.

Ky sukses është falë punës së palodhshme të anëtarëve të KKAD-së: z. Vaxhid Sejdiu në Zvicër, Mira Shehu në Kanada, Teuta Tabaku në Turqi, Miradije Berisha në Austri, Aurela Konduri në Greqi, Anila Kadia në Londër, Dritan Mashi, në Itali, Melita Oreshoviç në Kroaci, dhe Isuf Bytyçi në Gjermani, duke i përshëndetur edhe dy anëtaret e reja: Arta Emiri në Suedi dhe Anita Duriçi në Zvicër. Meritë të veçantë ka QBD-ja me drejtoreshën znj. Mimoza Hysa, e cila jo vetëm që na ka inkurajuar, por ka qenë gjithmonë përkrah nesh.

Zoti Krasniqi sa po ruhet gjuha amtare te brezat e rinj në diasporë?

Mustafë Krasniqi: Nuk dua të dukem si pesimist apo i dëshpëruar me brezat e rinj, të cilët kanë lindur dhe rriten jashtë atdheut. Në kohët e fundit ky brez ka arritur suksese të larta në shkollim, në të gjitha fushat deri në shkallë doktoraturë. Por, ajo që është shqetësuese është për brezin e fëmijëve që vijnë pas tyre, të cilët kanë filluar të mos e praktikojnë gjuhën amtare në familje, që një pjesë e madhe fatkeqësisht nuk e vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Ata që e vijojnë mësimin janë një numër simbolik. Kjo është shqetësuese dhe për këtë do një vëmendje më të madhe të institucioneve tona e mbi të gjitha të shoqërisë dhe prindërve mërgimtarë. Por do edhe një bashkëpunim më të madh me prindërit që ata t’i bindim se nëse nuk ruhet gjuha amtare te brezat e ardhshëm, ajo shpejt do të vije deri te thyerja e interesimit për identitetin kombëtar.

Z. Krasniqi si kryethemelues dhe kryetar i parë i LAPSH-it në Bavari, tashmë koordinator, na thoni se ku është suksesi i shkollës shqipe në Bavari?

Mustafë Krasniqi: Hapat e parë të themelimit të LAPSH-it në Bavari kanë qenë tepër të vështirë, shpesh edhe dekurajues, por falë punës dhe këmbënguljes së një grup aktivistësh e të mësuesve arritëm që më 23 prill 2017 ta mbajmë Kuvendin e LAPSH-it, ku të pranishëm ishin, përpos shoqatave, bizneset edhe institucionet e vendeve tona, ato të Ministrisë së Arsimit e të Diasporës dhe përfaqësuesit e dy konsullatave shqiptare në Munih.

Suksesi i shkollës shqipe ishte në hapat e parë në hapjen e shumë klasave, duke falënderuar kryesinë e LAPSH-it, mësuesit, prindërit, Fondacionin “Besa” e disa biznese të tjera që janë kujdesur për t’i mbuluar pagat e mësimdhënësve, duke e falënderuar edhe qytetin e Munihut që jep një donacion të madh. Sukseset, përpos rritjes së numrit të nxënësve, hapjen e klasave të reja, organizimin e konkursit të diturisë, kemi mbajtur seminare nga dy herë e më tepër në vit. Për manifestime kombëtare, për ditën e mësuesit “7 Marsin”, për “Kongresin e Manastirit” etj.

Ajo që veçohet është pjesëmarrja në manifestimet për komunitetet e huaja e leximi në bibliotekë, kanë qenë të suksesshme. Kemi faqen e gazetës online “https://www.shkolla-shqipe.de/”që përmes saj paraqesim objektivat tona dhe në kuadër te LAPSH-it kemi Këshillin e Arsimtarëve, që jep këshilla profesionale, bën pranimin e mësimdhënësve dhe kujdeset për çështje arsimore.

Mësimdhënësit kanë dëshmuar suksese gjatë kovidit, ku përmes platformës online kanë mbajtur mësimin, ka një administratë të shkëlqyer, ka përgatitur ditarin dhe planin vjetor që është në përpjekje për rritjen e numrit të nxënësve, ka faqen e vet zyrtare dhe mbi 36 mësimdhënës. Ajo që vlen të theksohet është bashkëpunimi me konsullatat tona në Munih

Për të gjithë këtë veprimtari, falënderoj kryesinë e LAPSH-it, mësimdhënëset për punën e tyre fisnike rreth angazhimit për ruajtjen e gjuhës shqipe te fëmijët tanë mërgimtarë shqiptarë. Por, për fat të keq me tërë këto përpjekje numri i nxënësve që vijojnë mësimin plotësues nuk është i kënaqshëm. Ajo që është primare për ne është të ecim të vendosur drejt një unifikimi dhe bashkëpunimi për të arritur misionin tonë në mbrojtjen e gjuhës dhe të identitetit kombëtar te fëmijët e mërgatës shqiptarë. Për këtë e them me përgjegjësi të plotë se LAPSH-i ka qenë e është i hapur dhe ka nevojë për bashkëpunim me dy konsullatat e të dyja shteteve tona, bizneset dhe shoqatat, të cilat janë në përkrahje të shkollës shqipe.

Z. Kirasniqi, jeni zgjedhur kryetar i KKAD-së për një mandat 4-vjeçar, ku janë qëllimet tuaja?

Mustafë Krasniqi: Së pari më lejo t’i falënderoj kolegët dhe koleget, nismëtaren znj. Adriana Bejkon – Fishta, ish kryetarin z. Vaxhidi Sejdiun, Qendrën e Botimeve për Diasporë dhe drejtoreshën znj. Mimoza Hysa, që gjatë katërvjeçarit të shkuar kemi arritur suksese të dukshme në bashkëpunim dhe në të gjitha projektet, të cilat i kemi vënë në agjendën e punës i kemi realizuar, së bashku.

Duke falënderuar vendimin e znj. Ogerta Manastirliu, për emërimin tim si kryetar të KKAD-së, e di se më janë shtuar përgjegjësitë, por asnjëherë nuk i frikësohem kësaj përgjegjësie, që e kam profesion dhe pasion, Ne jemi një ekipi i mrekullueshëm profesional, kolegjial dhe bashkëpunues. Kjo më bën të ndihem mirë pranë përgjegjësisë që kam. Kurse qëllimet e mia, të kryesisë dhe të të gjithë anëtarëve janë: që të vvazhdojë kjo veprimtari, nga këto suksese në suksese të reja Vlen të ceket se këto ditë për mësimdhënësit, lexuesin shqiptar kudo që është kemi hapur faqen e gazetës online “ https://kkad.al”. Kemi hartuar planin fillestar për një konkurs diturie, jemi në përgatitje për mbajtje të Kuvendit të dytë të KKAD-së etj.

Qëllimi ynë si KKAD, është unifikimi i diasporës shqiptare, rritja e numrit të nxënësve, që t’i kryejmë përgjegjësitë, të cilat na takojnë dhe së bashku me institucionet tona përkatëse të aspirojmë për një mësimdhënie të unifikuar, në funksion të mbrojtjes së gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar, kudo që jemi.

Ndër kërkesat e KKAD-së janë edhe këto: Licencimi i mësuesve, shpërndarja certifikatave, organizimi i trajnimit të mësuesve, takime konsultative e profesionale, angazhimin e medieve shqiptare të shkruara dhe audiovizive në diasporë për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare. Televizionet kombëtare të licencuara si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, të jenë në interes të mbrojtjes së gjuhës te mërgata shqiptare dhe krijimi i mini – bibliotekave me lektura shkollore të cilat do të ndihmojnë që fëmijët shqiptarë të jenë sa më afër librit shqip etj.

Së fundmi, përshëndes lexuesin dhe në emër të KKAD-së i bëj thirrje çdo shqiptari kudo që është, t’i kushtojmë rëndësi ruajtjes se gjuhës amtare në mërgatën shqiptare, sepse tretja në heshtje e kësaj pjese vitale është humbje e madhe për kombin në tërësi dhe në veçanti, thyerje shpirtërore.



Lexoni të gjitha në Bota Sot