Duka: Tradita e shkëlqyer sportive e këtij rajoni është frymëzim për brezat e ardhshëm

- Bota Sot

Duka: Tradita e shkëlqyer sportive e këtij rajoni është frymëzim për brezat e ardhshëm

Në qytetin e Korçës u zhvillua të hënën Mbrëmja Gala “Më të Mirët e Sportit 2024”, ku u vlerësuan 10 sportistët më të mirë të qarkut, përfaqësues nga disiplina të ndryshme sportive.

Eventi u mbajt në teatrin “Andon Zako Çajupi” me pjesëmarrjen e personaliteteve të sportit dhe shumë të ftuarve të tjerë.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, përshëndeti Mbrëmja Gala përmes një video-mesazhi, duke vlerësuar organizatorët dhe duke përgëzuar sportistët për sukseset e tyre gjatë vitit 2024.

"Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem pjesë e kësaj mbrëmjeje të jashtëzakonshme ku vlerësohen 10 sportistët më të mirë të qarkut Korçë për vitin 2024, qoftë edhe virtualisht.

Tradita e shkëlqyer sportive e këtij rajoni, nga futbolli, atletika, deri te disiplina të tjera sportive, është një pasuri e çmuar për sportin shqiptar dhe një frymëzim për brezat e ardhshëm.

Ju përgëzoj për këtë organizim dhe vlerësoj jashtëzakonisht shumë faktin që jeni bërë bashkë për të festuar arritjet e sportit korçar në një event gala.

Dua të shpreh mirënjohjen time të gjithë fituesit që me talentin dhe përkushtimin e tyre kanë ngritur lart emrin e qarkut Korçë. Ju përfaqësoni një motiv të madh krenarie për popullin korçar.

Ju ftoj të vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të përmirësuar infrastrukturën dhe mjediset sportive në zonën e Korçës, pasi është një aspekt shumë i rëndësishëm që kërkon të gjithë vëmendjen tonë.

Korça është një qytet sportdashës dhe prej shumë vitesh është dalluar për prodhimin e elementëve elitarë në sporte të ndryshme.

Falënderime të përzemërta për organizatorët e këtij eventi të rëndësishëm dhe urime për të gjithë sportistët që janë sot pjesë e kësaj mbrëmjeje Gala. Uroj që suksesi i sportit në Korçë e veçanërisht futbolli të vazhdojë të shkëlqejë edhe në të ardhmen", ka shkruar Duka.



Lexoni të gjitha në Bota Sot