Mësuesi nga Zveçani mbetet pa punë pasi mori pjesë në një ndeshje basketbollistike ku tifozët kënduan kundër Vuçiqit

- Bota Sot

Mësuesi nga Zveçani mbetet pa punë pasi mori pjesë në një ndeshje basketbollistike ku tifozët kënduan kundër Vuçiqit

Mlladen Peroviq, mësues i matematikës në një shkollë fillore të Zvecanit, mbeti pa punë. Serbia edhe këtë herë ushtroi presionin e saj kundrejt serbëve të Kosovë. Vendimi për shkarkimin e tij erdhi pasi mori pjesë në një lojë të basketbollit në Beograd. Në tribunën ku ai ndodhej me 170 nxënës tjerë që jetojnë në Kosovë, befas nisën këngë ku u ‘ofendua’ presidenti i Serbisë. Peroviq akuzon njerëz nga Serbia se po i lënë pa punë serbët e Kosovës. Thotë se edhe kolegët që i dolën në mbështetje po kërcënohen nga po të njëjtit kërcënues. Në presionet e vazhdueshme ndaj serbëve të Kosovës ai implikon huliganët e “Crvena zvedës”, shkruan nova.

Mlladen Peroviq, mësues i matematikës në shkollën "Vuk Karaxhiq" në Zveçan, u pushua nga puna sepse dikujt nuk i pëlqeu që ai u ndodh befas në një situatë e cila automatikisht e cilësoi atë si “tradhti ndaj Serbisë dhe presidentit serb Aleksandar Vuciq”.

Në një ditë vikendi, ai vendosi që t’i çonte fëmijët nga Kosova për të parë një ndeshje basketbolli të klubit të Partizanit në Beograd. Por ky veprim, i kushtoi shumë Peroviqit.

Gjithçka nisi kur mësuesi serb 33-vjeçar i Matematikës që punon në Kosovë, u ndodh në tribunë bashkë me 170 fëmijë të tjerë nga shkollat serbe në Kosovë.

Nga tribunat u dëgjuan brohoritje nënçmuese drejtuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Makthi i tij nisi pasi u kthye në Kosovë. Mësuesi mbeti pa punë, e fëmijëve iu kërkua llogari pse Vuciq u ‘ofendua’ nga tribuna në të cilën ata ndodheshin.

Në një rrëfim, Peroviq ka rrëfyer në detaje se si nisën telashet e që përfunduan me shkarkimin e tij.

“Ishin 170 fëmijë, 85 prej tyre nga Zveçani, të cilët i drejtova unë, të tjerët nga Leposaviqi dhe Zubin Potoku”, ka thënë Peroviq.

Nga tribunat ai thotë se u dëgjuan brohoritje nënçmuese drejtuar presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Ne ishim në tribuna ku zakonisht ka tifozë të zjarrtë, por të cilët nuk ishin aty. Në një moment filluan thirrjet për presidentin. Është e vështirë të thuhet nëse ndonjë nga fëmijët është përfshirë, veçanërisht pasi ata që unë personalisht i kam udhëhequr, nga Zveçani, janë më të vegjlit, kryesisht në klasën e pestë dhe të gjashtë. Kishte njerëz të tjerë në forum që erdhën vetë," tha mësuesi, raporton nova.

E nuk kaloi gjatë dhe atij iu kërkua llogari e cila pasoi me ndëshkim që i erdhi drejtpërdrejt nga Serbia.

Drejtori i shkollës ku ai punon i ka kërkuar një listë me fëmijët që ai mori atë ditë në lojë.

"Ai udhëtim në Beograd nuk kishte të bënte me shkollën, kështu që mendova se po më pyeste për emra sepse mbërritëm të hënën në mëngjes nga një udhëtim dhe se disa fëmijë duhej të justifikoheshin nga mungesa në klasë."

Por sipas tij, drejtoresha në fakt donte të thërriste prindërit për një takim.

Në këtë takim Vreme shkruan se drejtoresha diskutoi me prindërit rreth pjesëmarrjes së fëmijëve në lojë, këndimin në të cilin pretendohet se u ofendua presidenti serb si dhe vuri në dyshim rolin e mësuesit të matematikës që i çoi fëmijët në atë lojë.

Sipas mediumit, prindërit dyshohet se dolën në krah të mësuesit dhe i kërkuan drejtorit të ndalonte përplasjen me të.

E pas kësaj mbledhje nisi gjithçka.

Peroviq thotë se shkolla nisi disa akuza absurde kundrejt tij të cilat pasuan me përjashtim nga puna.

Në vendimin e shkarkimit thuhet se Peroviq ka humbur vendin e punës “për shkak të shkeljes së detyrimeve të punës” dhe “mosrespektimit të disiplinës së punës”.

Gjithashtu pretendohet se mësuesi ka futur notat në ditarin elektronik tetë ditë më vonë se afati i përcaktuar, se ka qenë me vonesë në punë dhe se ka abuzuar me detyrën e tij si mësues duke “rregulluar në mënyrë të papërshtatshme klasën” në një mënyrë që të “thellojë dhe zhvillojnë sjellje të dhunshme" të fëmijëve, dhe se ai i ka sjellë nxënësit e mitur në kontakt me grupet e tifozëve bazuar në "afinitetet personale".

Prindërit e fëmijëve të cilët vijojnë mësimin në atë shkollë fillore, kanë dorëzuar një peticion në Ministrinë e Arsimit, kundër vendimit për ndërprerjen e parakohshme të punës së profesorit Mlladen Peroviq.

Ata në peticion theksojnë se loja nuk ka të bëjë me shkollën, por ka qenë një ekskursion i organizuar për fëmijët dhe se rregullimi i klasës në të cilën kanë marrë pjesë fëmijët është bërë me pëlqimin e eprorëve të tyre.

“Ishte një mënyrë që fëmijët të lidhen shoqërisht, të zhvillojnë ndjenjën e përkatësisë ndaj komunitetit/klasës dhe të kalojnë më lehtë periudhën e tranzicionit nga klasa e katërt në të pestën”, shtoi peticioni.

Njoftimi i mësuesit

Edhe mësuesi i matematikës që e pësoi gjithashtu lëshoi një deklaratë publike me këtë rast, ku tha se ai ia kishte kushtuar gjithë jetën punës me fëmijët dhe se ishte krenar që ishte mësues matematike.

“Megjithatë, përkundër kontributit tim shumëvjeçar, unë u përballa me masa të padrejta disiplinore në vendin tim të punës që rezultoi me ndërprerje të menjëhershme të punës”, thotë Peroviq.

Ai ka paraqitur fakte për të cilat thotë se konfirmojnë se procedura ndaj tij ka qenë e pabazuar dhe është zhvilluar me qëllim të diskreditimit të personalitetit dhe veprës së tij.

“Vendimi për shkarkimin tim është marrë pa marrë parasysh rrethanat dhe në kundërshtim me procedurat ligjore. Shumica e procedimeve u kryen nga individë të dyshuar për motive personale ose profesionale për të më diskredituar. Pavarësisht kontributeve të mia për shkollën dhe më gjerë, vendimi për përfundimin u mor pa marrë parasysh kontributet dhe reputacionin tim profesional”, thuhet në deklaratën publike të profesorit 33 vjeçar.

Kush po ushtron presion?

Mlladen Peroviq që tashmë ka mbetur pa punë thotë se e di mirë se kush qëndron pas këtij presioni dhe kush merr vendime për shkarkime. Ai hedh akuza të drejtpërdrejta ndaj serbëve që jëetojnë në Kosovë, por që janë pjesë e grupeve të tifozëve e huliganëve të “Crvena zvezdës” (Yllit të kuq), të cilët thotë se ushtrojnë presione ndër më të ndryshmet ndaj serbëve që janë Kosovë.

"Disa njerëz me hije nga këtu janë në grupet e organizuara të tifozëve të Yllit të Kuq.Ata i shqetëson dikush që i çon fëmijët në ndeshjet e Partizanit. Kjo është e vështirë ti shpjegosh dikujt që nuk është nga këtu”, pohon Peroviq për Vreme.

“Ushtrojnë presion ndaj politikanëve, drejtorëve. Dhe është një komunitet i vogël, të gjithë dinë gjithçka. Dhe tani që disa nga kolegët e mi kanë filluar të nënshkruajnë një peticion në mbështetje ndaj meje, të njohurit i kanë telefonuar për ti paralajmëruar dhe kërcënuar se do ti lënë pa punë”, tha ai.

Ai tha po ashtu se kishte marrë një avokat dhe po shkruante një padi me të.



Lexoni të gjitha në Bota Sot