Romelu Lukaku është gati të festojë një arritje të jashtëzakonshme në karrierën e tij. Të shtunën, në përballjen kundër Juventusit në stadiumin “Maradona”, belgu do të luajë ndeshjen e tij të 500-të në një kampionat të kategorisë sipërore.
Një udhëtim i nisur më 24 maj 2009, vetëm 16 vjeç e 11 ditë, me Anderlecht në “Jupiler Pro League” belge.
Rrugëtimi i Lukakut në shifra:
Ndeshje të luajtura:
73 me Anderlecht në Belgjikë.
278 në Premier League (Chelsea, West Bromwich, Everton, Manchester United).
148 në Serie A (Inter, Roma, Napoli).
Gola të shënuar:
33 gola në Belgjikë.
121 gola në Premier League.
78 gola në Serie A (8 me Napolin).
Në total, Lukaku ka realizuar 232 gola në kampionatet ku ka luajtur.
Objektivi i radhës – Me 394 gola të shënuar në total midis klubeve dhe kombëtares, Lukaku është vetëm 6 gola larg arritjes së shifrës së 400 golave në karrierë, një sukses madhështor që duket më se i mundshëm për “Big Rom”.
Lidhja me Antonio Conte – Lukaku dhe trajneri Antonio Conte ndajnë një histori të gjatë bashkëpunimi. Sulmuesi ka luajtur 91 ndeshje nën drejtimin e italianit, prej të cilave 83 si titullar. Me Conten, sulmuesi belg ishte pikë referimi tek Interi, duke kontribuar në fitimin e titullit të Serie A gjatë periudhës 2019-2021. Tani, te Napoli, partneriteti i tyre po shkëlqen sërish.
Një karrierë 16-vjeçare – Nga goli i parë me Anderlecht, më 22 gusht 2009, deri te “rrjeta” e fundit kundër Atalantës pak ditë më parë, Lukaku ka kaluar 16 vite me përkushtim, suksese, sfida dhe gola. Me kombëtaren belge, ai është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave, me 85 gola në 120 ndeshje, një rekord i arritur midis viteve 2010 dhe 2024.
Përballja me Juventusin – Ndeshja e 500-të vjen në një moment të veçantë: Napoli kryeson tabelën, përballet me rivalin e përhershëm Juventus, dhe stadiumi “Maradona” do të jetë i mbushur plot. Me 8 gola dhe 6 asistime këtë sezon, Lukaku ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Napolin, duke u dëshmuar si një nga lojtarët më të plotë në Serie A.
Nga ai gol i parë në Belgjikë deri te ky moment historik, udhëtimi i Romelu Lukakut ka qenë i jashtëzakonshëm, por rruga e tij drejt lavdisë është ende e hapur.