Duket si gënjeshtër e 1 prillit. Ndoshta edhe më shumë se kaq, ndërsa Mançester Siti është në vendin e 25-të në renditjen e re të Championsit, nga 36 ekipe pjesëmarrëse gjithsej.
Ish-kampionët e Europës dhe kampionët në fuqi të Anglisë u mposhtën me përmbysje nga Paris SG, në një dorëzim aspak karakteristik. PSG realizoi diçka të madhe, ndërsa nuk mendohej se mund ta bënte, e Siti tashmë rrezikon seriozisht eliminimin.
Edhe pse të besuarit e trajnerit Pep Guardiola arritën epërsinë 2-0 në pjesën e dytë kur shënuan Grilish dhe Haland, por pastaj Dembele, Barkola, Neves dhe Gonsalo Ramos I dhanë fitoren kampiones së Francës, të drejtuar nga miku i Guardiolës, trajneri Luis Enrike.
Jo vetëm kaq, por PSG dominoi me 64 për qind mbajtje topi dhe trefishin e gjuajtjeve të Sitit, diçka vërtet alarmante.
E përditshmja londineze, “Gardian” e cilëson këtë si një dorëzim të Sitit, dhe shton se Guardiola përballet me eliminimin pasi ekipi I tij hodhi në erë epërsinë prej dy golash.
“Siti flaku tej fitoren, – shkruan “Deili Ekspres” me foton e Halandit të dëshpëruar, – Të besuarit e Pepit u shtypën nga presioni dhe shpresa europiane varet në fije të perit!”
“Shenjtëri e shkatërruar, – është titulli I “Star Sportit”, – Pep në buzë të nokautit europian pasi të dështuarit flakën tej epërsinë e dy golave!”
“Në pjesën e parë ne luajtëm mirë dhe shënuam dy gola dhe patëm disa raste, por e vërteta është se PSG ishte më e mirë se ne. Ata shënuan dy gola në pesë minuta. Ndoshta po të ishim mbrojtur më mirë, mund t’ia kishim dalë, por ata ishin më të mirë se ne. Më të shpejtë, ata fituan duelet për top. Ne nuk ia dolëm. Skuadra më e mirë fitoi”.
Siti ka vetëm 8 pikë në 7 ndeshje, ka 4 ndeshje pa fitore, dhe shpresa mbetet tek fitorja javën e fundit në Angli ndaj Bryzhit dhe në kombinimin e favorshëm të rezultateve.