Gjatë luftës, jugosllavi Mugosha e caktoi Enver Hoxhën Komandant të Përgjithshëm dhe pas çlirimit Enveri deshi t’i japë gjithë ushtrinë Jugosllavisë

- Bota Sot

Gjatë luftës, jugosllavi Mugosha e caktoi Enver Hoxhën Komandant të Përgjithshëm dhe pas çlirimit Enveri deshi t’i japë gjithë ushtrinë Jugosllavisë

Në prill të vitit 1944, para largimit për në Jugosllavi, Dushan Mugosha shtroi mendimin se Spiro Moisiu si Komandant i Shtabit të Përgjithshëm, nuk i përgjigjej kurrsesi detyrës së tij dhe propozoi e “diktoi” që në krye të tij të vihej Komisari i deriatëhershëm Enver Hoxha. “Propozimi” i Dushan Mugoshës e emëroi Enver Hoxhën Komandant të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare me gradën gjeneral kolonel, fakt që u bë në Kongresin e Përmetit.

Këto “zgjedhje” ose më mirë këto “shpërblime”, që i u dhanë Enver Hoxhës njëra pas tjetrës, kishin të bënin me sjelljen apo diplomacinë e tij servile ndaj jugosllavëve, që siç rezulton ai i fitoi të gjitha. Por ana tjetër kishte edhe një sjellje tjetër të Enver Hoxhës, që ishte ajo makabre ndaj shokëve e bashkëpunëtorëve të tij, që rezultuan me asgjësime e ekzekutime, që u bënë jo vetëm për rivalitet por edhe për faktin se ata ishin shfaqur si anti jugosllavë e anti shovenë.

Sjellja servile e Enver Hoxhës ndaj jugosllavëve, pas Konferencës së parë të vendit e veçanërisht pas Helmësit, duket se ndjek trajektoren e plotë të rekrutimit të tij nga jugosllavët, jo vetëm në shërbim personal të Miladinit, por në shërbim të çështjes jugosllave, sepse me ardhjen pranë Shtabit të partisë e të luftës të Bllazhos, të Stojniçit e të Tempos, Enver Hoxha e braktisi dhe e flaku edhe Miladin Popoviçin, sepse kuptoi se të “rinjtë” nuk e donin Popoviçin dhe se “të rinjtë” duhet të merrnin shërbimin e radhës nga ai, Enver Hoxha. Dhe ja si shprehet për Tempon në “Katër ditët e Beratit”: “Tempo ishte një njeri plot gjallëri, që s’e njihte frikën dhe pengesën. Vinte nga Shkodra, kalonte postblloqet, s’donte t’ia ndiente për rreziqet. Unë më parë isha influencuar nga Aliu por tash e kuptova se Aliu kishte tendencë ta denigronte atë. Kështu, kjo ka qenë puna jonë... Duhej të vinte shoku Velo (Velimir Stojniçi) që ne të na hapte horizonte të gjera që të na bënte të shikonim se ku do të shkonim”.

Kishte ndodhur çlirimi dhe mes Tiranës e Beogradit kishin rrjedhur shumë ujra. Jugosllavët punonin pa pushim për “gëlltitjen,- sipas porosisë së Stalinit,-të Shqipërisë. Dhe ja ku jemi më 16 mars të vitit 1948, kur një letër sekrete Enver Hoxha i a dërgoi J.B.Titos për unifikimin e Ushtrisë shqiptare me atë jugosllave: “I dashur Marshall,

Shoku ynë gjeneral Kristo Themelko, së bashku me gjeneral Kupreshanin ardhën në Beograd për të biseduar me Shtatmadhorinë Jugosllave, çështjen e unifikimit... Mendimi ynë mbi këtë është ky: Në parim duhet të krijohet një Komandë Unike pse nuk mundet që në një front ku ndodhen dy ushtritë si tonat, të veprojnë kundra të njëjtit armik nën dy Komanda të veçanta. Për karakterin e kësaj Komande Unike, format, mënyrat e veprimit dhe momenti i shpalljes së saj, ne nuk jemi në gjendje t’i përcaktojmë si duhet. Por bashkëpunimi i Shtatmadhorisë suaj dhe delegatit tonë, si dhe sugjerimi Juaj, do të na ndihmojë neve për marrjen e një Vendimi të përbashkët definitiv mbi këtë problem”, Unifikimin”.129)

Më parë të kësaj letre, Tito i kishte kërkuar Enver Hoxhës unifikimin e dy ushtrive dhe për këtë qëllim të hartohej e të nënshkruhej një Promemorje. Në letrën e 16 marsit 1948 Enver Hoxha i kërkonte Titos krijimin e Komandës Unike, Komandës së Përbashkët, pra asgjë më pak e më shumë por Bashkimin e Ushtrive.

Konturet e bashkimit të ushtrive, dmth suprimimin e Ushtrisë shqiptare e kalimin e saj në Ushtrinë jugosllave ishin hedhur një vit e ca më parë ose edhe më herët. Më 10 korrik të vitit 1947, do të mbërrinte në Shqipëri një delegacion ushtarak jugosllav dhe kjo datë përkonte edhe me datën e krijimit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare. Ky delegacion jugosllav binte në sy për përbërjen e nivelit të lartë sepse në krye të tij ishte gjenerali Koça Popoviç, Shef i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Jugosllave, gjenerali Vukmanoviç Tempo, (një emër i njohur në Shqipëri që gjatë Luftës Antifashiste, për ndikimin që kishte pasur në ngjarjet politike në Shqipëri) Drejtor Politik i Ushtrisë jugosllave pas Çlirimit, gjenerali Rade Hamoviç, Shef i Drejtorisë Operative etj. Të gjithë i priti në një takim të veçantë Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë shqiptare Gjeneral Armate Enver Hoxha. Kjo vizitë hodhi përfundimisht konturet e bashkimit të Ushtrisë tonë me atë të Jugosllavisë.

Më parë më 23 deri më 27dhjetor të vitit 1946 kishte ardhur në Shqipëri një delegacion jugosllav i kryesuar nga gjeneral-lejtnant Rade Hamoviç Shefi i Drejtorisë Operative të Shtatmadhorisë jugosllave, që ishte edhe me delegacionin e korrikut. Në bisedimet e gjata mes dy delegacioneve, delegacioni shqiptar përfaqësohej gjatë takimit për Marrëveshjen e “Unifikimit të Ushtrisë” shqiptare me atë jugosllave nga gjeneral-kolonel Mehmet Shehu Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare, kolonel Tahir Kadarea si dhe kolonel Valeri Lebediev, që ishte këshilltar sovjetik në Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë.

Delegacioni jugosllav, për hartimin e dokumentit të aktit juridik të Unifikimit të Ushtrisë, qëndroi në Tiranë katër ditë. Aty në atë takim flitej për unifikim, por në fakt ai ishte suprimimi i Ushtrisë shqiptare. Siç shihet, çdo gjë bëhej me miratimin paraprak të sovjetikëve dhe nga kjo del se “Shqipërinë, Stalini ia kishte lënë Titos” ndonëse në Ushtrinë Shqiptare gjendeshin këshilltarë dhe instruktorë ushtarakë të dy palëve, qoftë jugosllavë por edhe sovjetikë.

Megjithëse deri në këtë kohë Stalini, ia kishte lënë Shqipërinë Jugosllavisë, përsëri sovjetikët ishin “të kujdesshëm” ndaj jugosllavëve. Vlen të përmendim edhe kundërshtitë e para në lidhje me kontrollin apo politikat e ndjekura në Ushtrinë shqiptare. Këtu nisin edhe përplasjet e para mes Shtatmadhorive, ku këshilltarët sovjetikë kishin mbështetjen e Mehmet Shehut, ndërsa këshilltarët jugosllavë kishin mbështetjen e Kristo Themelkos.

Dokumenti apo Promemoria e Unifikimit të Ushtrisë kishte si pikë të parë pikërisht faktin se “duhet të kalohet sa më parë në njësimin (njësimi është e njëjta gjë me unifikimin) e Ushtrisë Shqiptare me Ushtrinë jugosllave. Pikat e Promemories ishin që mes Ushtrive shqiptare dhe asaj jugosllave të bëhej: Unifikimi i sistemit të mbrojtjes dhe forma e organizimit. Unifikimi i armatimit dhe i furnizimit. Unifikimi i metodës të stërvitjes së reparteve dhe i përgatitjes së shtabeve. Unifikimi i normave të jetesës në Ushtri. Unifikimi i sistemit të evidencave dhe i administratës. Unifikimi i metodës së drejtimit të gjithë Ushtrisë.

Këto ishin pikat e Promemories dhe hartuesit e kësaj Promemorie e shihnin atë si një rrugë të vetme, që do të mundësonte Unifikimin e të gjithë sistemit të punës së Ushtrisë shqiptare me Ushtrinë jugosllave. Duke nuhatur kontradiktat e Stalinit me Titon, Enver Hoxha mundi të shkonte në verën e vitit 1947, për një vizitë në Moskë, ku do të nënshkruante mes marrëveshjeve të tjera, edhe një marrëveshje ushtarake njëvjeçare me Qeverinë sovjetike.

Kjo ishte “loja” dyfishe e Enver Hoxhës që e mbajti atë në pushtet, si masë ndaj asaj që jugosllavët nuk kishin shumë besim te ai. Këtë e kishte ndjerë mirë Enver Hoxha, ndaj përpiqej të bëhej sa më i besueshëm për jugosllavët duke sakrifikuar edhe Ushtrinë për qëndrimin e tij në pozitat e “Një”-shit. Dokumenti apo Platforma – Promemoria, që u formulua në takimin jugosllavo-shqiptar përmban 18 pika. Është thënë për to në dokumentet e partisë se Mehmet Shehun si ish Shef i Shtabit të Përgjigjëm, “pati lëkundje lidhur me Unifikimin”, por e vërteta është krejt e kundërta. Ai vetë e ka pohuar në mbledhjen e Byrosë Politike më 8 janar të vitit 1948 se “nuk ishte kundër këtij bashkimi ( Unifikimi të Ushtrisë). Unë garantoj se nuk jam kundër Jugosllavisë, nuk jam kundër bashkimit të Ushtrisë sonë me atë jugosllave. Unë kam punuar dhe punoj për këtë...”,-deklaron vetë Mehmet Shehu132)

Zëvendësimi më pas i Mehmet Shehut me Shef Shtabi Beqir Ballukun, duket sikur “zhduku” të gjitha pengesat e unifikimit të Ushtrisë. Këtë e përforcojnë edhe dokumentet që flasin për vizitën në Beograd të Beqir Ballukut, Kristo Themelkos etj. ku u pranua madje edhe ardhja e Divizionit Jugosllav në Korçë. Në fakt, vetë Enver Hoxha i kishte pranuar të gjitha këto propozime, por më pas, kur u prish Stalini me Titon, i mohoi ato e nuk i zuri më në gojë, duke e mbushur gjithçka me propagandën anti Tito.

Nëse nuk do të kishte ndodhur prishja e madhe në vitin 1948 mes Stalinit e Titos, vetë Enver Hoxha dhe qeveria e tij komuniste e kohës, do të kishte ngelur peng i politikës vasale ndaj Jugosllavisë. Kjo pasi pothuajse të gjitha llojet e marrëdhënieve të vendosura me Jugosllavinë e pasluftës, kishin në bazë të tyre platformat njësuese e bashkuese, qoftë në sektorin ushtarak e atë ekonomik, ashtu edhe në jetën politike në vend.

Nëse më e njohura në planin ekonomik ngelet “Konventa për koordinimin e planeve ekonomike për bashkimin doganor dhe barazinë e monedhave”, jo fort e njohur për publikun e gjerë është “Promemoria për Unifikimin e Ushtrisë shqiptare me Ushtrinë jugosllave”. Kjo Promemorie i takon vitit 1947 dhe gjendet ne Arkivin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, plot katër faqe material, ku shpalosen idetë se si do të veprohej deri te ky Unifikim.

Në një periudhë gati gjashtëmujore të vitit 1947, kur bisedimet mes palëve ishin intensive dhe që nga dokumentet faktohet se ato po shkonin drejt miratimit përfundimtar, situata në Shqipëri ishte ende e paqartë. Akoma nuk ishin vendosur lidhjet e drejtpërdrejta me Moskën dhe Beogradi shërbente si rrugë kalimi për t’u afruar me shtetin më të fuqishëm të kampit socialist. Ndaj pikërisht në këtë kohë komunikimet J.B.Tito-Enver Hoxha për të përfshirë Shqipërinë në një Federatë të Përbashkët, u intensifikuan më shumë se kurrë më parë.

Ishte një plan i vjetër i që gjatë Luftës, ku J.B.Tito i kërkonte ose më mirë i diktonte Enver Hoxhës krijimin e Shtabit të Përbashkët Ballkanik. Për këtë ide u ndërmorën aso kohe shumë masa dhe në fakt ishin pararendëset e Federatës Ballkanike të J.B.Titos me përbërëse shtetet Jugosllavi, Bullgari dhe Greqi e Shqipëria po se po, sepse atë J.B.Tito as e llogariste shtet. Enver Hoxha në atë kohë u ingranua nga Tito të lozte edhe një rol ndërmjetësi me forcat partizane greke. Për këtë qëllim, Enver Hoxha siç e kemi thënë, dërgoi me një shërbim të posaçëm në Greqi Koçi Xoxen, i cili do të bisedonte për krijimin e Shtabit Ballkanik, bisedime që rezultuan negative, mision që as nga Koçi Xoxe nuk është pohuar as nga Enver Hoxha nuk është mohuar. Këto ide të vjetra të krijimit të Shtabit Ballkanik, si themeli i Federatës, pas Çlirimit Tito synonte t’i çonte përpara me Federatën Ballkanike. Por këto ide lidheshin edhe me “gllabërimin” e Shqipërisë, ku pjesë e atij plani ishte edhe Unifikimi i Ushtrisë Shqiptare me atë Jugosllave. Për ta bërë fakt “Unifikimin” apo Bashkimin, ka qenë dislokimi apo ardhja në zonën e Korçës i një Divizioni Jugosllav. Këtë e gjejmë në dokumentin Radiogram tepër sekret të 19 janarit 1948 që Tito i bën Enver Hoxhës “për vendosjen e një Divizioni të tij në bazën ushtarake të Korçës”. Më 3 mars 1948 Enver Hoxha në mbledhjen e Byrosë Politike thotë se “për çështjen e ardhjes së Divizionit jugosllav në Korçë, Mareshallit i u përgjigjëm: Po”! Në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm urdhëroi menjëherë masat realizuese nga strukturat ushtarake shqiptare dhe vënien në punë të Shtabi të Përgjithshëm të Ushtrisë për konkretizimin e vendimit të Titos. Këto masa organizative si vetë Urdhri, tregojnë predispozicionin e plotë të tij për realizimin e planit të okupimit.

Në fund të janarit, një javë pas radiogramit për Enver Hoxhën dhe pikërisht më 26 janar 1948, Tito dërgoi në Tiranë për të konkretizuar masat për pritjen e Divizionit të tij në Korçë gjeneralin D. Kupreshanin, me në dorë edhe një mesazh personal të Titos për Enver Hoxhën. Në fakt Enver Hoxha për dislokimin e Divizionit jugosllav në Shqipëri, e kishte dhënë verdiktin qysh më 20 janar 1948, një ditë pas radiogramit të Titos.

Mirëpo ngjarjet zhvillohen ndryshe. Sovjetikët e kishin zbuluar radiogramin sekret të Titos për dislokimin e Divizionit jugosllav në Korçë dhe Stalini kishte marrë informacion të plotë e qartë për “lëvizjen” e Titos. Kjo e shtonte edhe më shumë “zullumin” e Titos te Stalini, pasi ai më parë kishte avancuar edhe me Konfederatën Ballkanike. Nëpërmjet ambasadorit në Tiranë, sovjetikët e njoftuan Enver Hoxhën që “Jugosllavia po provonte ta aneksonte Shqipërinë”. Dhe sipas ambasadorit sovjetik në Shqipëri Çuvakin: “Ne nuk e dinim se jugosllavët... donin të sillnin njësitë e ushtrisë së tyre në territorin e Shqipërisë. Ata u përpoqën ta bënin këtë në një mënyrë shumë të fshehtë. Në fakt qëllimi i tyre në këtë drejtim ishte krejtësisht armiqësor, sepse ata synonin ta përmbysnin situatën në Shqipëri.”

Qëndrimet dhe veprimet e Titos që nuk i pëlqenin Stalinit, përfshi edhe ato për Shqipërinë, ky i fundit i kish marrë vesh që në mesin e vitit 1947, më saktë që në qershor të vitit 1947.

Siç e theksova, radiogramin sekret për dislokimin e Divizionit ushtarak jugosllav në Korçë e kishte marrë vesh Stalini nga ambasadori sovjetik në Beograd Llavrentjev, i cili më 21 janar të vitit 1948, do të njoftonte se “nga jugosllavët është vendosur për dislokimin e Divizionit të 2 -të të këmbësorisë në Shqipëri, në rajonin e Korçës”. Pak më vonë nga Tirana, Enver Hoxha, i shkoi Stalinit po të njëjtin informacion, vetëm me një ndryshim, ai i shkroi Stalinit propozimin e Titos dhe jo miratimin që i kishte bërë dislokimit të Divizionit, vetë Enver Hoxha. 105)

Në fund të janarit 1948, në Tiranë mbërriti gjenerali jugosllav Kupreshanin, i cili i solli Enver Hoxhës edhe një mesazh “tepër urgjent dhe të rëndësishëm” të Titos, që mbante datën 26 janar 1948. Duke i dorëzuar mesazhin Kupreshanin i tha Enver Hoxhës se shoku Tito ju shkruan juve: (dhe ambasadori i lexon Enver Hoxhës tekstin e mesazhit të Titos) se “unë (Tito) ju kërkoj juve që të na jepni bazën e Korçës për vendosjen e një Divizioni dhe të shërbimeve teknike ndihmëse. Me këtë do të krijohen kushtet për organizimin e mbrojtjes më mirë nga ju të sektorit të kufirit nga ana e detit dhe në rast provokacioni njësitë tona mund të ndërhyjnë më shpejt”.106) Ndërsa më 25 prill 1948, ku vazhdojnë poshtërsitë, në Byronë Politike Enver Hoxha do të shprehej me “sinqeritet” se “ne kemi qenë dakort për ardhjen e Divizionit jugosllav në Korçë, por kemi vënë në dijeni qeverinë sovjetike sa për informacion,...”. Kur Stalini u prish me Titon, - shkruan ambasadori sovjetik në Tiranë Çuvakin, - Enver Hoxha më tha se ky hap ishte i gabuar, ishte një rrezik i madh për paqen në Ballkan, që mund të krijohej si rezultat i futjes në territorin e Shqipërisë të një Divizioni të huaj në zonën, e cila ishte fqinje me teatrin e veprimeve luftarake”.107)

Çuvakini në kujtimet e tij demaskon tërë prapaskenën e Enver Hoxhës lidhur me dislokimin e Divizionit jugosllav në Korçë. Ai tregon edhe bisedimet organizuese të menjëherëshme mes Shefave të Shtabeve të Përgjithshme, atij Jugosllav e Shqiptar, gjë që u bë për palën shqiptare në bazë të një Urdhri të veçantë të Enver Hoxhës në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Ngjarja dhe masat tregojnë qartësisht predispozicionin e plotë të Enver Hoxhës për plotësimin e planit të okupimit. 108)

Ngjarjet zhvillohen në dy plane. Sovjetikët, siç rezulton nga dokumentet e kishin zbuluar më parë Radiogramin e Titos për dislokimin e Divizionit në Korçë, se sa ata t’i informonte Enver Hoxha. Tendencën dhe planin e Jugosllavisë, nëpërmjet ambasadorit të tij në Tiranë, Stalini ja prezanton Enver Hoxhës, ku i thekson “”se Jugosllavia po provonte ta aneksonte Shqipërinë”! Ç’komedi po luhej?! Vetë Stalini dikur nga vitet ‘45-‘46 u kishte thënë udhëheqësve jugosllavë Tito e Gjilas “ta gëlltitnin Shqipërinë”, ndërsa tani pas dy tre vjetësh, fliste për kujdesin që duhej treguar pasi Jugosllavia po përgadiste “aneksimin”.

Në fakt gjithnjë është ngritur pyetja: Përse Enver Hoxha nga njëra anë edhe e miratoi dislokimin e Divizionit jugosllav në Korçë, dhe nga ana tjetër e njoftoi edhe Stalinin për kërkesën e Titos për dislokimin!? Këtu dhe për këtë të vjen në ndihmë analiza. Në atë situatë Enver Hoxha, por edhe Koçi Xoxe që u bënë bashkë në vendimin për dislokimin por edhe për njoftimin e Stalinit, u trembën, se mos Shqipëria pushtohej nga forcat greke dhe ato amerikano - britanike, çka do t‘i detyronte dy krerët e regjimit që të arratiseshin në Jugosllavi, ku nuk do të qenë të sigurt, jo vetëm se me shumë gjasë edhe vetë Jugosllavia me këtë rast do të invadohej nga amerikanët, por edhe se Tito do të kërkonte të gjente fajtorë për disfatën, në mënyrë që të shfajësonte veten dhe nuk ishte çudi që të fajësonte Enver Hoxhën po e po, por edhe Koçi Xoxen. Në se gjërat do të shkonin më keq dhe të gjithë bashkë, Tito, Hoxha dhe Xoxe do të detyroheshin të arratiseshin në Bashkimin Sovjetik, atëherë atje Stalini, nuk do të hezitonte që t’i eliminonte të gjithë, për t’i dhënë Perëndimit të kuptonte se si ai nuk kishte përgjegjësi për atë që kishte ndodhur.

Duke kujtuar episod e Divizionit, Stalini, gjatë vizitës së 23 marsit të vitit 1949, i kujtoi Enver Hoxhës se “ njoftimi nga ana juaj lidhur me këtë (dislokimin e Divizionit jugosllav) ishte i dobishëm për ne,... Ata jepnin të kuptoje sikur ky hap ndërmerrej me pëlqimin e Bashkimit Sovjetik”.111) Edhe Eduard Kardeli në kujtimet e tij e paraqet këtë episod në formën e mëposhtme: “Ne u premtuam shqiptarëve t’u dërgojmë atyre në formën e ndihmës, nëse do të duhej, një Divizionin tonë. Për këtë, në të vërtetë, ne nuk e njoftuam Bashkimin Sovjetik, ... Por nga Moska atëherë ndërhynë menjëherë që ne të mos e bënim këtë hap dhe ne e anuluam Vendimin tonë”.112)

Për grindjet apo marrëdhëniet e Stalinit me Titon, ka hamendësime se ato ndodhën përfundimisht edhe për çështjen e “pushtimit të Shqipërisë”.Vladimir Dedijeri biograf i Titos, në kujtimet e tij shkruan se “grindja e parë mes Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë ishte për Shqipërinë. Kjo, nuk është kaq e vërtetë. Ka ndikuar edhe Shqipëria, por grindja Stalin-Tito ishte për “vendin e parë”, ishte rivaliteti”.115)

Kjo e fundit, “rivaliteti” që konkludon Dedejeri, është më se e vërtetë, por këtu dedektojmë për qëndrimin e mëparshëm të Stalinit, i cili në vitin 1946 në prezencë të Titos, po ai Stalin në Moskë i ishte drejtuar Milan Gjilasit se “Shqipëria duhej të gëlltitej nga Jugosllavia” dhe ky qëndrim i tij, ishte në njëfarë mënyre një konfirmim i çdo lëvizjeje të jugosllavëve ndaj Shqipërisë? Ndoshta strategjia e Stalinit, siç u argumentua edhe më sipër, ishte t’i linte jugosllavët të bënin ç’të dëshironin me Shqipërinë, me qëllim që më vonë ai të kishte material për t’i demaskuar. Të ishte vërtet kështu?!

Milovan Gjilasi, pas vendimit të Titos për dislokimin e Divizionit ushtarak në Korçë, ka pohuar se “në fakt Tito donte ta përdorte pozicionimin e forcave për të përforcuar pozicionin jugosllav në Shqipëri, duke pasur frikë nga humbja e territorit të saj si rezultat i shtimit të pjesëmarrjes sovjetike në çështjet e Shqipërisë”.116)

Që Stalini luante me qëllimet dhe ambiciet e Titos në Ballkan, tashmë kjo nuk ka asgjë për tu zbuluar. Ai i bënte pikërisht këto manovrime që më vonë ta sulmonte për ambicie të tepruar, siç e kritikoi dhe në fakt për të cilat e dënoi konkretisht Titon.

Më 29 janar të vitit 1948, në bisedë me ambasadorin sovjetik në Beograd A.I.Llavrentjev, Tito e shprehu hapur ekzistencën e vendimit për dislokimin e një apo dy Divizioneve ushtarake në Shqipëri. Sipas fjalëve të Titos, të miratuara sipas marrëveshjes me Enver Hoxhën. “Në qoftë se Bashkimi Sovjetik e konsideron të përshtatshme që përgjithësisht këtë të mos e bëjmë, -më deklaroi Tito, -atëherë Jugosllavia do të ndjekë këtë rekomandim”119).

Këtë informacion lidhur me qëndrimin e J.B.Titos, ambasadori Llavrentjev patjetër që e transmetoi në Moskë e si përgjigje më 1 shkurt të vitit 1948, u nis për të (për Titon), ky telegram kërcënues i Stalinit nëpërmjet Molotovit: “Nga biseda juaj me shokun Llavrentjev, duket se ju e konsideroni normale një situatë të tillë kur Jugosllavia duke pasur traktat për ndihmë reciproke me BRSS e konsideron të mundshme veten të mos konsultohet me BRSS për dërgimin e forcave të saj në Shqipëri, por as që të informojë BRSS për këtë, sipas rregullit të nevojshëm... unë duhet t’ju deklaroj, me porosi të Qeverisë së BRSS se BRSS nuk mund të bjerë dakord me atë, që e vini përpara faktit të kryer”.120) Këtë telegram që mbante firmën e Molotovit, më 1 shkurt 1948 A.I.Llavrentjev ia dha Titos. Dhe më tej Llavrentjevi shkruan se “Tito, pasi e lexoi telegramin dy herë, tepër i shqetësuar, tha se nuk e priste që Qeveria Sovjetike t’i jepte kësaj çështjeje një rëndësi të tillë. Ai pranon se u bë gabim. Duhej paraprakisht të konsultoheshim me Qeverinë Sovjetike dhe ky konsultim për problemet e politikës së jashtme që tani e tutje do të bëhet...Divizioni jugosllav nuk do të futet në Shqipëri”.121)

Nëntë ditë pas dorëzimit të notës së mësipërme të Stalinit e të Qeverisë Sovjetike për Titon, lidhur me dislokimin e Divizionit në Korçë, numri dy i Jugosllavisë Eduard Kardeli, shkoi në Moskë. Në bisedime me Stalinin, Kardeli foli edhe “për shkeljet” e Jugosllavisë. Siç shkruan Gjilasi, në atë takim pas një maratone bisedimesh u kalua edhe në pikën e tretë të mosmarrëveshjeve, ku u tha se “Moska kishte mësuar aksidentalisht për hyrjen e trupave jugosllave në Shqipëri. Shqiptarët i kishin thënë BRSS se trupat kanë kaluar me miratimin e sovjetikëve, në një kohë kur kjo nuk qëndron. Molotovi nisi të citonte disa komunikime dhe Stalini i tha të lexonte me zë të lartë. Ai e pyet se cilin mesazh duhet të lexojë dhe Stalini i afrohet dhe i tregon njërin. Molotovi lexon mesazhin e ambasadorit sovjetik në Jugosllavi, Llavrentjev, mbi takimin me Titon. Duke e lexuar, bëhet e qartë se mesazhi është një përgjigje në lidhje me pyetjen nëse ka apo jo një vendim të Qeverisë Sovjetike për kalimin e trupave jugosllave në Shqipëri. Mesazhi thotë se ekziston një vendim i koordinuar i Titos me Enver Hoxhën dhe se motivi është “një pushtim i mundshëm i Shqipërisë”.

Mesazhi thotë më tej se Tito nuk është dakord me Moskën që hyrja e trupave jugosllave në Shqipëri do të shkaktonte ndërhyrje të anglo-amerikanëve. Sipas mesazhit, “Tito thoshte se nëse ka diçka serioze, Jugosllavia dhe BRSS do ta zgjidhnin mes tyre ose nëse lëvizja kundërshtohet nga BRSS, Jugosllavia do të tërheqë menjëherë trupat nga Shqipëria. Në fund Molotov saktëson se Tito nuk i ka informuar ata për këtë mosmarrëveshje. Ai theksoi se marrëveshje të tilla janë të papranueshme dhe duhet të nxirren në diskutim dhe jo të fshihen. Më pas Dimitrovi, bullgarët e tjerë edhe Kardeli (i cili qe i vetmi që foli mes ne jugosllavëve), po tentonin të jepnin arsyet e tyre. Stalini i ndërpriste vazhdimisht. Ai na tha se “ajo që Jugosllavia e Bullgaria kishin deklaruar në Bled, nuk ishte një traktat po vetëm një ide për t’u pranuar në të ardhmen”. Sovjetikët thanë se këtë e mësuan nga gazetat. Stalini u thotë më tej se “Dimitrovi kërkonte të çudiste të gjithë botën dhe kjo dukej sikur Sekretari i Kominternit shpjegon qartë dhe durueshëm se si duhen bërë gjërat. Ky është ushqim për reaksionarët amerikanë,-tha Stalini. Ata janë edhe në kohë zgjedhjesh dhe duhet të jemi të kujdesshëm të mos u japim argumente që lehtësojnë fitoren e reaksionarëve. Në opinionin tim, ne nuk duhet tu japim asgjë, pasi kur reaksionarët dëgjojnë deklarata të tilla për Europën Lindore, triumfojnë fitoren e tyre. Dhe kjo lidhet me çështjen e Shqipërisë. Tre fuqitë botërore, Anglia, Amerika dhe BRSS, e kanë garantuar me marrëveshje të veçantë pavarësinë e Shqipërisë. Shqipëria është pika jonë e dobët, pasi shtetet e tjera janë edhe anëtare të OKB-së ose të njohura ndërkombëtarisht, ndërsa Shqipëria jo. Nëse trupat jugosllave hyjnë në Shqipëri, reaksionarët e Anglisë dhe të SHBA e përdorin këtë si pretekst për të mbrojtur pavarësinë e Shqipërisë. Prandaj, në vend që të dërgoni trupat tuaja aty, ju duhet të punoni dhe ta ndihmoni Shqipërinë, të krijojë Ushtrinë e saj”.124) Në një moment të takimit, Eduard Kardeli i deklaroi Stalinit se ndoshta me traktatin bullgaro-jugosllav ata (jugosllavët) ishin nxituar. Stalini i zemëruar e ndërpret: “Absurditet! Divergjenca ka, dhe të thella! Çfarë do thoni ju lidhur me Shqipërinë? Përgjithësisht, ju nuk u konsultuat me ne lidhur me futjen e forcave tuaja në Shqipëri”.125) Eduard Kardeli qetë, qetë u përpoq që ta sqaronte Stalinin përsëri se për këtë ka pëlqimin e Qeverisë së Shqipërisë. Por Stalini përsëri pa e përfunduar mendimin Eduar Kardeli, e ndërpreu: “Fakti është fakt, që ju nuk u konsultuat me ne për problemin e dërgimit të Divizionit jugosllav në Shqipëri. Kjo mund të çonte në ndërlikime serioze ndërkombëtare”.126)

Kur u doli “boja” vendimeve të marra nga Tito e Enver Hoxha për okupimin e Shqipërisë shkruante Liri Belishova, zëvendësja e Enver Hoxhës, “e mbaj mend si tani, - shkruante ajo -që në një mbledhje të Byrosë, në atë kohë kur bëhej si pushim, Enveri për t’i dalë përpara kësaj, më tha: “Ka letra që ne i kemi bërë Titos, por ato nuk janë bërë seriozisht, por për t’i blerë mendjen atij. E kupton?! Të tërë politikanët, është zor që t’i gjesh me ideale të pastra, por Enveri dhe veprat e tij po t’i lexosh, del qartë që mbi çdo gjë ka vënë fronin e tij. Të tërë ata që e kundërshtuan, ai u hëngri kokën, i pushkatoi ose i kalbi në burgje e internime”.127)

Në shkurt të vitit 1948, Partia Komuniste sovjetike do ta sulmonte publikisht Partinë Komuniste jugosllave dhe do të fillonte ndaj saj bllokadën e gjithanshme. Nuk ishte Shqipëria ajo që prishi marrëdhëniet sovjeto-jugosllave, as çështjet “parimore” të Informbyrosë, as dislokimi i Divizionit jugosllav në Korçë, as e as-e të tjera por ishin kryesisht çështjet e rivalitetit Stalin-Tito. Pikërisht këtu e në këto momente ndodhi edhe prishja e marrëdhënieve mes Enver Hoxhës dhe Titos. “Antimarksist, nacionalist, agjent i imperializmit, kalë Troje” ishin disa nga emërtimet që “zgjodhi” Enver Hoxha për Titon. Siç e thamë, prishja e madhe nuk ndodhi për Shqipërinë, por ishte për rivalitetin personal Stalin-Titoi, për gjeopolitikën e tyre komuniste.



Lexoni të gjitha në Bota Sot