Interi mendon edhe për derbin

- Bota Sot

Interi mendon edhe për derbin

Kristjan Asllani do të rikthehet që të marrë komandën e skuadrës së Interit në kabinën e “regjisë” për ta udhëhequr drejt kualifikimit në fazën e 1/8-ave. Zikaltërve iu duhet vetëm një pikë për të shkuar më tej, por sigurisht që nuk do të zbresin në fushë për të bërë llogari.

Trajneri Inzagi është mes dy zjarresh sepse ditën e diel do të luajë edhe derbin e Madoninës kundër Milanit dhe sigurisht që kërkon t’i ketë lojtarët sa më në formë dhe të freskët fizikisht. Si gjithmonë në portë do të jetë Jan Zomer, tashmë i shndërruar në një pikë të fortë të kësaj skuadre edhe për lojën me këmbë.

Përpara tij do të ketë një risi, Jan Bisek. Mbrojtësi gjerman do të luajë si titullar bashkë me Pavarin dhe Bastonin për të lënë pushim De Vrajin. Ky i fundit duhet që të karikojë batetirë për duelin kundër Milanit ditën e diel. Ndërkohë që nga krahët do të konfirmohet Denzel Dumfris në të djathtë që po kalon një moment të jashtëzakonshëm dhe Dimarko rikthehet majtas.

Mesfusha sheh sërish protagonist Asllanin që në javët e fundit është aktivizuar shumë dhe është përgjigjur siç duhet në fushën e lojës. Risia pritet të jetë Fratezi, që pas një ndeshje të mirë me Leçen e nis si favorit ndaj Barelës. Ky i fundit do të kursehet për derbin kundër Milanit. Krahas shqiptarit dhe italianit do të jetë Mkitarian, jetik për skemat e Inzagit. Në sulm pritet gjithashtu që të ketë një surprizë. Marko Arnautoviç mund ta nisë si titullar.

Të paktën kështu është provuar ditën e djeshme në stërvitje. Taremi ka pasur një shqetësim dhe nuk është 100% i gatshëm për të dhënë kontribut për këtë ndeshje. Turam gjithashtu duhet që të pushojë pak, por gjithmonë gati për të ndihmuar ekipin nga stoli.



Lexoni të gjitha në Bota Sot