Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte u takua sot me zëvendëskryeministren e Ukrainës për Integrimin Evropian dhe Euro-Atlantik, njëherësh ministren e Drejtësisë Olha Stefanishyna në Bruksel, e cila mori pjesë edhe në takimin e Këshillit NATO-Ukrainë.
Diskutimet në takim u fokusuan në situatën aktuale në fushën e betejës, mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për Kievin dhe përparimin që Ukraina vazhdon të bëjë në reformat, thuhet në njoftimin e NATO-s.
Zëvendës sekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska kryesoi mbledhjen e Këshillit NATO-Ukrainë. Ajo theksoi përpjekjet e vazhdueshme për ta afruar Ukrainën me NATO-n, duke përfshirë komandën e NATO-s për Asistencën e Sigurisë dhe Trajnimin për Ukrainën (NSATU) në Wiesbaden, Qendrën e Përbashkët të Analizës, Trajnimit dhe Edukimit (JATEC) dhe Paketën Gjithëpërfshirëse të Asistencës (CAP) për Ukrainën.
Ajo tregoi se aleatët janë në rrugën e duhur për të përmbushur zotimin e bërë në Samitin e Uashingtonit për të ofruar 40 miliardë euro ndihmë për sigurinë dhe përshëndeti investimet në rritje të aleatëve në industrinë e mbrojtjes të Ukrainës.