Wojciech Szczesny (34 vjeç) është tashmë portieri titullar i Barcelonës, pas vendimit përfundimtar të Hansi Flick, duke lënë në hije Iñaki Peña. Eksperienca dhe përvoja e tij kanë bërë që ai të marrë frenat e portës blaugrana, ndërkohë që Marc-André ter Stegen vazhdon të jetë i dëmtuar. Megjithëse polaku ende nuk ka kapur ritmin e duhur të garës, pas një “pensionimi” të shkurtër, po e justifikon arsyen pse Barça u interesua për të.
Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, Szczesny foli për momentin e tij aktual. Ai zbuloi se kishte pasur një takim me Arsène Wenger më 21 shtator, një ditë përpara dëmtimit të Ter Stegen, ku ish-trajneri i kishte thënë: “Jam i sigurt që do të rikthehesh të luash futboll”.
Kur u kthye në Marbella, ‘Tek’ po shihte një ndeshje të Barcelonës kundër Villarrealit, me kërkesën e djalit të tij, dhe pas dëmtimit të Ter Stegen mori telefonatë nga Robert Lewandowski, direkt nga dhoma e zhveshjes blaugrana: “Aty pashë fatin tim…”
Szczesny pranoi se u tërhoq nga futbolli pasi nuk gjeti një projekt që ta motivonte, por nuk mund ta refuzonte këtë mundësi: “E pranova Barcelonën pa pritshmëri për të luajtur, sepse kisha dy muaj që luaja vetëm golf (qesh)”.
Dallimet mes futbollit italian dhe atij spanjoll janë të dukshme: “Në aspektin taktik, Italia është pak përpara, por në aspektin teknik, Spanja është shumë më e avancuar. Këtu shënohen më shumë gola, loja nuk është aq e organizuar. Duhet të përshtatem me stilin e Barcelonës, i cili është shumë sulmues dhe spektakolar. Komunikimi në fushë është i vështirë, pasi mbrojtja ime është shumë e avancuar në fushë”.
I pyetur se cilën ligë preferon, ai nuk arriti të zgjedhë: “Nuk e di cilin kampionat do të quaja më të mirë”.
Megjithatë, diferencat mes mentalitetit të lojës janë të qarta për të: “Në Itali, avantazhi prej një goli ka shumë rëndësi, ndërsa këtu ekipi vazhdon të sulmojë edhe kur është në epërsi. Ishte mbresëlënëse, para pak ditësh fituam 7-1 ndaj Valencias dhe të gjithë festonin. Edhe unë, por isha i mërzitur që pësova një gol”.
Një nga pikat më të forta të Barçës është besimi i madh që ka te lojtarët e rinj, diçka që Szczesny e vlerëson shumë: “Energjia që ata transmetojnë është fantastike, më argëton shumë të jem me ta”.
Portieri polak ka luajtur me yje si Cristiano Ronaldo, Chiellini, Buffon, Özil dhe Fàbregas, por nuk ka asnjë dyshim: “Lamine Yamal është talenti më i madh teknik që kam parë ndonjëherë në jetën time. Për sa i përket forcës fizike është Kenan Yildiz. Lamine është i pabesueshëm, gjërat që bën në stërvitje nuk i kam parë te askush tjetër”.
Polaku shpreson të ketë mundësinë të luajë në “Camp Nou” e rinovuar, por pranon se nuk e kishte menduar kurrë diçka të tillë: “Do të ishte fantastike të luaja në stadiumin e ri, por nuk mund të them se ka qenë ëndrra ime. Ëndrra ime më e madhe ishte të luaja në stadiumin e Legia Varshavës”.