Trajneri i Real Madridit Carlo Ancelotti e vlerësoi fitoren 3-0 në fushën e Brest, në ndeshjen e fundit të fazës së grupit të Ligës së Kampionëve, falë së cilës të tijtë siguruan “play off”-in.
Pra, për të shkuar në 1/8 finale, madrilenëve do t’iu duhen edhe dy ndeshje shtesë, teksa kundërshtarin që duhet të sfidojnë do ta mësojnë në shortin e së premtes.
Çfarë vlerësimi i bëni ndeshjes?
Ishte një ndeshje shumë e mirë. Kam parë një ekip serioz, që ka kontrolluar ndeshjen, ka luajtur mirë dhe ka qenë bllok i fortë. Po, jam i kënaqur.
Dhe çfarë vlerësimi i bëni kësaj faze të Ligës së Kampionëve?
A ka ndikuar kjo te Real Madridi?
Jo, jo. Vërtet janë shumë ndeshje, por për të gjithë. Në këtë moment të futbollit duhet t’i reduktojmë ndeshjet, jo t’i shtojmë më shumë. Ky është mendimi im për formatin e ri të Champions League.
Po nëse ju bie Manchester City si kundërshtar në “play off”?
Do të hidhet shorti dhe çfarëdo që të vijë nuk e shmangim dot. Nuk ndryshon shumë, për ta fituar Ligën e Kampionëve, duhet të mundësh ekipet më të mëdha.
Po kaloni një moment të mirë…
Jemi më kompaktë dhe efektivë. Luajmë shumë mirë. Dalim mirë nga mbrojtja, kërkojmë hapësirat dhe thellësinë me sulmuesit. Jemi në një moment të mirë dhe duhet të vazhdojmë kështu.
Ai është shumë mirë, si të tjerët. Në këtë periudhë ka shënuar shumë, si Bellingham apo Mbappé. Përpara kemi shumë cilësi, gjë që po e shfrytëzojmë mirë.
Kaq shumë ndryshime në formacion… A ndodh për shkak të këtij kalendari të ngjeshur?
Po, saktësisht për këtë. Dhe sepse të gjithë kontribuojnë: Lucas dhe Mendy luajtën një ndeshje të mirë. Si Modric. Kemi një skuadër të madhe dhe të gjithë duhet të jenë të gatshëm dhe të disponueshëm.
Të kanë nxjerrë një karton të verdhë. Pse?
Nuk e di (qesh). Sepse kam protestuar për një faull ndaj Bellingham. Por nuk ka problem.
Në fund të lojës, Modric u duartrokit nga stadiumi…
Më pëlqeu shumë. Ishte një gjest i madh respekti ndaj një futbollisti të madh, dikush që po firmos një karrierë të jashtëzakonshme.
Cilin do të donit kundërshtar të radhës, Manchester City apo Celtic?
Duhet të presim shortin. Nëse na bie City, do të jetë më e vështirë, sigurisht. City ka më shumë mundësi për ta fituar Ligën e Kampionëve, është një realitet. Nuk na pëlqen të luajmë kundër tij.
Një vlerësim për formatin e ri të Ligës së Kampionëve?
Nuk më pëlqen, janë shumë ndeshje, idetë e mia për futbollin janë t’i pakësojmë ato, për ta zvogëluar lodhjen e lojtarëve.
A ju shqetëson të luajturit dy ndeshje më shumë, me “play off”-in?
Nuk mendoj se është kaq e keqe. Po marrim një dinamikë të mirë, është një moment i mirë i yni fizikisht dhe mendërisht, kam shumë besim tek ky ekip, sepse shoh shumë gjëra pozitive në fushë