Partizani dhe Laçi kanë mbyllur duelin mes tyre.
Ndeshja e vlefshme për javën e 23-të të Superiores dhe e zhvilluar në Kurbin, ka përfunduar në barazim pa gola. Pas kësaj sfide ka folur “Lojtari i Ndeshjes”, mbrojtësi i Partizanit, David Domgjoni.
“Jam shumë i lumtur që jam vlerësuar me këtë titull, gjë shumë e mirë, risi për kampionatin shqiptar. Në pjesën e parë na vuri në vështirësi Laçi, ndërsa në të dytën ishim më mirë. Ishte rezultati 0-0 dhe mendoj se të dy skuadrat bënë detyrat mbrojtëse mjaft mirë. E dimë si është fusha e Laçit, pak e rënduar me thënë të drejtën.
Afrimet e reja dhe largimet? E kam thënë që lojtarët që kanë ikur kanë qenë të rëndësishëm. Edhe ata që kanë ardhur besoj se kanë kualitet, përderisa janë pjesë e Partizanit. Por çdo lojtar kërkon kohën e tij për t’u përshtatur.
Nuk është për t’u shqetësuar që një mbrojtës del “Lojtari i Ndeshjes”. Laçi është ekip që prodhon futboll. Barazimi nuk ishte rezultat negativ, i marrim ndeshje pas ndeshje, nuk i ikim objektivit. Kemi besimin si skuadër në fund të marrim titullin kampion. Nuk ishte ndeshje shumë e mirë, por duke parë lojtarët e rinj, javë pas jave mendoj që do të shkojmë ne nivelin e duhur.
Si e gjete në rikthim futbollin shqiptar? Realisht duke parë shitjet e fundit që po bëhen nga ky kampionat dhe shumë lojtarë janë në treg, niveli është mjaft i mirë. Përderisa ka shumë lojtarë që shiten, niveli është duke u rritur dita-ditës.
Kur luajmë 4 qendërmbrojtës në vijën e fundit, dy mbrojtësit e krahut s’janë tipikë, por janë përshtatur. Por ajo ç’ka shoh unë brenda ekipit, kemi probleme në manovra kur dalim në sulm. Kurse me 4 qendërmbrojtësa, nuk ka shanse që të pësojmë gol (qesh)”, është shprehur Domgjoni.