UEFA përmbyll vizitën inspektuese në Shqipëri për Europianin U-17 “Shqipëri 2025”

- Bota Sot

UEFA përmbyll vizitën inspektuese në Shqipëri për Europianin U-17 “Shqipëri 2025”

Në vazhdën e përgatitjeve për finalet e Kampionatit Europian U-17, një delegacion i UEFA-s zhvilloi një inspektim katërditor në Shqipëri, duke vlerësuar nga afër gjendjen e stadiumeve dhe fushave stërvitore ku do të luajnë dhe përgatiten ekipet pjesëmarrëse.

I shoqëruar nga përfaqësues të FSHF-së, delegacioni inspektoi stadiumin “Egnatia Arena”, duke u njohur me transformimin e tij të fundit, si dhe fushat stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”, “Selman Stërmasi”, “Tofik Jashari”, “Sol Tropikal”, “Skënder Halili”, aneksin e stadiumit “Roza Haxhiu” dhe stadiumin “Luzi”.

Gjithashtu, delegacioni i UEFA-s inspektoi edhe tre stadiumet e tjera ku do të luhen ndeshjet finale të Europianit: “Arena Kombëtare”, “Elbasan Arena” dhe “Niko Dovana”.

Me afrimin e turneut, vizitat e UEFA-s do të bëhen më të shpeshta, ndërsa puna për përmirësimin e infrastrukturës po vijon me ritme të shpejta. Vetëm pak ditë më parë, Komiteti Ekzekutiv i FSHF miratoi një plan rinovimi për disa terrene sportive, duke përfshirë investime të plota në “Selman Stërmasi”, “Skënder Halili”, “Tofik Jashari” dhe “Roza Haxhiu”, si dhe ndërhyrje të pjesshme në “Niko Dovana”, “Tropikal Sol”, “Luzi” dhe “Egnatia Arena”.

Këto investime pritet të rrisin cilësinë e kushteve për lojtarët dhe të lënë një trashëgimi të rëndësishme për futbollin shqiptar pas përfundimit të turneut.



Lexoni të gjitha në Bota Sot