Bayerni e Milani synojnë fitore

- Bota Sot

Bayerni e Milani synojnë fitore

Liga e Kampionëve do të vazhdojë sonte me katër ndeshje të tjera të fazës së “play-off”-it.

Pas dueleve të mbrëmshme interesante, përballje të tjera me plot emocione mund të sjellin takimet e sontme.

Bayern Munichu do ta vizitojë Celticun me synim që ta krijojë një kapital solid para ndeshjes së kthimit, e cila do të luhet pas një jave në “Allianz Arena”.

Nga ana tjetër, vendësit do të tentojnë ta nxjerrin një rezultat të favorshëm në shtëpi për ta kërkuar më pas mrekullinë në Gjermani.

Ndërkohë, Milanin e pret një ballafaqim jo fort i lehtë në Holandë, ku e pret Feyenoordi vendës.

“Rossoneri” e lëshuan nga duart kualifikimin direkt në të tetën e finales në xhiron e fundi të fazës së grupeve.

Prandaj, atyre iu duhet ta kalojnë edhe pengesën e quajtur Feyenoord nëse duan të jenë pjesë e 16 skuadrave më të mira të futbollit evropian.

Kuqezinjtë kanë shkuar në tokën e tulipanëve për të fituar dhe për t’iu afruar kualifikimit, të cilin do ta kompletonin në “San Siro” javën tjetër.

Sonte do të luhen edhe dy ndeshje të tjera.

Atalanta e Berat Gjimshitit e viziton Club Bruggen në Belgjikë, kurse Monaco i bën konak Benficës.

Tri prej katër ndeshjeve të sontme do të nisin prej orës 21:00.



Lexoni të gjitha në Bota Sot