Drita bën ankesë në FFK kundër gjyqtarit Mervan Bejtullahu

- Bota Sot

Drita bën ankesë në FFK kundër gjyqtarit Mervan Bejtullahu

Drita bën ankesë në FFK kundër gjyqtarit Mervan Bejtullahu pas lojës me Dukagjinin, e konsideron “non-grata”

FC Drita ka bërë ankesë në Federatën e Futbollit të Kosovës kundër gjyqtarit Mervan Bejtullahu, i cili e referoi dje ndeshjen mes gjilanasve dhe Dukagjinit në të tetën e finales së Kupës së Kosovës.

Gjilanasit kanë mbetur të befasuar që fillimisht ky gjyqtar iu caktua për ta drejtuar këtë ndeshje, ndonëse përmes shortit.

Ata i kanë përmendur rastet kur konsiderojnë se kanë mbetur të dëmtuar nga Bejtullahu në të kaluarën, ndërsa insistojnë se ai e vazhdoi avazin e vjetër edhe gjatë 120 minutave në ndeshjen e djeshme, të zhvilluar në fushën me bar sintetik në Gjilan.

“Intelektualët” kërkojnë menjëherë që shtëpia e futbollit kosovar të marrë vendim që Mervan Bejtullahu dhe Gramos Shala të mos referojnë më asnjëherë kur të luajë Drita, ndërsa paralajmëruan se do të deponojnë në FFK video-incizime ku shihen disa prej rasteve që sipas tyre, ndikuan në rrjedhën e ndeshjes së djeshme.

Sidoqoftë, Drita shkoi në çerekfinale të Kupës së Kosovës pas gjuajtjeve të penalltive.

Gjyqtari Mervan Bejtullahu është kritikuar vazhdimisht në vitet e fundit, me disa klube të tjera, por edhe njohës të futbollit, që konsideronin se ky i fundit e ndihmon Dukagjinin.



Lexoni të gjitha në Bota Sot