Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, foli për “Sky Sport” në prag të ndeshjes së nesërme kundër Manchester Cityt në fazën e “play-off”-it të Ligës së Kampionëve.
“Los Blancos” e fitoi lojën e parë në “Etihad Stadium” javën e kaluar, ndërsa sonte do ta kërkojë konfirmimin për t’u kualifikuar në të tetën e finales së Championsit.
Mirëpo, kampionët spanjollë, evropianë e botërorë s’i pret punë aspak e lehtë pasi përballë do ta kenë “ekipin e plagosur”, i cili mund të këndellet dhe të godasë në çdo moment.
“Skuadra është mirë, në pak kohë në dispozicion e kemi përgatitur mirë lojën. Do t’i rigjejmë Alaban e Rudigerin, Valverde është mirë: po nisim t’i rikthejmë lojtarët e rëndësishëm.”
A pret befasi nga Pep Guardiola?
“Jemi të koncentruar në atë se çka duhet të bëjmë ne, siç kemi bërë edhe në lojën e parë. Duam ta përsërisim këtë edhe nesër, përkundër faktit se çka do të bëjë Cityt, i cili megjithatë e ka një identitet të qartë dhe nuk besoj se do të ndryshojë.”
Në fund, ai foli edhe për Kylian Mbappen dhe për Jude Bellinghamin.
“Për Mbappen nevojitej vetëm pak më shumë qetësi, periudha e adaptimit ishte e padiskutueshme. Tash ka marrë fund kjo dhe po luan mjaft mirë, s’ka asnjë sekret.”
“Bellingham është duke mësuar të flasë spanjisht, por ka ndodhur ajo që ka ndodhur: të shikojmë përpara. Ai është mirë, është mjaft i koncentruar për ndeshjen dhe është i motivuar. E ka lënë prapa rastin e fundit.” .