Partizani luajti me mungesa të shumta ndaj Egnatias. 6 lojtarë nuk u aktivizuan ndaj kampionëve dhe kjo ndikoi edhe në ndeshje, me “Demat” që vuajtën dhe humbën 2-0 ndaj rrogozhinasve.
Por tashmë ndaj Bylisit do të ketë rikthime të rëndësishem. Ndërkohë do të ketë edhe mungesa.
Altin Bytyçi, Gjelbrim Taipi dhe Besar Gudjufi u ndëshkuan me karton të kuq ndaj Tiranës dhe në këtë mënyrë ishin të pezulluar ndaj Egnatias , ndërsa Andi Janjeva kishte plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë dhe në këtë mënyrë nuk luajti ndaj kampionëve.
Tashmë për sfidën me Bylisin do të ketë rikthime të rëndësishme. Gjelbrim Taipi dhe Andi Janjeva kanë shlyer pezullimet dhe do të jenë nën urdhrat e Aleksandar Veselinovic, ndërsa për Altin Bytyçin klubi me shumë gjasa mund të paguajë gjysmën e dënimit për ta rithyer në ekip.
Nga krahu tjetër Besar Gudjufi do të vazhdojë të mungojë edhe ndaj ballshiotëve, pasi siç dihet nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës është dëmtuar me 4 ndeshje. Gjithashtu mungesa do të jenë edhe Kote dhe Eleke, të cilët ende nuk janë rikuperuar ende.