Shkëndija e Tetovës dje erdhi në Shkup dhe e kreu punën në mënyrën më të mirë, duke mundur rivalin e vjetër, Vardarin, në shtëpinë e tyre me rezultat 2:1.
Kjo fitore ka lënë të kënaqur trajnerin e “kuqezinjëve” nga Tetova, Jeton Beqiri, i cili megjithatë është i brengosur me arbitrat e takimit dhe njerëzit që i delegojnë ata.
“Në disa momente i japim arbitrit elemente për të na ndëshkuar.
Por gjithashtu jam shumë i brengosur dhe dua të bëj një apel deri te organet kompetente të delegimit të arbitrave dhe kontrollorët, të jenë më syçelë në këto situata, për shkak se bisedohet për investime shumë të mëdha, bisedohet për një ndeshje derbi dhe unë gjatë gjithë ndeshjes isha shumë në siklet me referimin.
Ndjeja se nuk ishte i barabartë, kishte tendenca, kam shumë dyshime edhe te përsëritja e penaltisë. Fryma e arbitrit gjatë ndeshjes nuk më pëlqeu. Të jem i sinqertë unë këtë brengë e barti edhe nga ndeshjet e vjeshtës dhe nuk dua kurrë të gjej alibi te arbitrat.
Sikur sot mos të kishim fituar, nuk do flisja për referimin, por është me rëndësi ta dijnë të gjithë se Shkëndija është klub i madh, është projekt serioz, kemi pronar dhe nuk mund të vjen një arbitër apo një grup arbitrash dhe të çojnë huq gjithë punën dhe mundin që jepet. Kështu që edhe një herë bëj apel për seriozitet në këtë drejtim, pasi ne jemi dëmtuar jo pak, shkaku i këtyre lëshimeve kemi të paktën 3-4 pikë më pak. Shfrytëzoj këtë intervistë kur ne kemi fituar dhe nuk po justifikohemi, për të shprehur shqetësimin për tendencën e disa arbitrave në ndeshje të caktuara.” – ka thënë Beqiri për faqen zyrtare të klubit tetovar.
Kujtojmë, Shkëndija falë golave të shënuar nga Besart Ibraimi dhe Fabrice Tamba, shënoi fitore 2:1 ndaj Vardarit, duke marrë kryesimin e vetme me 40 pikë, dy më shumë se Sileksi dhe Gostivari, që e ndjekin nga afër.