Pas konfirmimit të marrëveshjeve të reja për Manuel Nojer, Alfonso Dejvis dhe Xhamal Musiala, duket se Bajern Mynih po i afrohet një vazhdimi tjetër të kontratës.
Sipas “Sport Bild”, Daiot Upamekano është “afër” zgjatjes së kontratës së tij përtej vitit 2026, me bisedimet mes palëve të avancuara.
Drejtori sportiv i Bajernit, Kristof Frojnd, konfirmoi për “Sport Bild” se të dyja palët janë të prirura të zgjasin bashkëpunimin e tyre.
“Upa (Upamekano) e di që ne patjetër duam të vazhdojmë kontratën e tij. Kemi pasur diskutime shumë të mira me të.
Ne duam të zgjasim bashkëpunimin me të së shpejti. Ne jemi shumë, shumë të lumtur me zhvillimin e Upas. Dhe ai është gjithashtu shumë i lumtur me Bajernin”, tha Frojnd. Upamekano iu bashkua klubit më të titullar në Gjermani nga Lajpcig në vitin 2021, periudhë kur në “timonin” e Bajernit erdhi Julian Nagelsman.