Selimi merr në duar “ringjalljen” e Flamurtarit, zbulon planin e tij

- Bota Sot

Selimi merr në duar “ringjalljen” e Flamurtarit, zbulon planin e tij

Klubi i futbollit “Flamurtari”, është në krizë të thellë të rezultateve por shpresa për rikthim në rrugën e duhur tashmë është rritur, pasi klubi ka emëruar në krye të skuadrës trajneri me shumë përvojë, Musa Selimi.

Pas 15 xhirove, “Flamurtari” ka vetëm nëntë pikë në vendin e fundit të Grupit B të Ligës së Parë, por Selimi thotë se me grupin e lojtarëve që ka në dispozicion është i bindur se do ta sigurojnë qëndrimin në këtë rang të garave.

“Ideja ka qenë që të kthehem në fushën e blertë te një klub me traditë, një grup i mirë i futbollistëve por që fatkeqësisht nuk e kemi gjendjen më të mirë në tabelë kësaj radhe por me synimet tona që të mbledhim pikë të mjaftueshme që të jemi edhe vitin tjetër në këtë rang...Mendoj që grupi është jashtëzakonisht duke funksionuar mirë, shoh një energji të re, pozitive, gjithmonë kur ndryshohen trajnerë ndodh kështu dhe unë uroj që ne të qasemi nga ndeshja në ndeshje dhe të mbledhim pikë të mjaftueshme në mënyrë që të mos rrezikohemi për statusin e klubit në këtë rang garash”, tha fillimisht Selimi.

Derisa flet për KosovaPress, Selimi pranon se skuadrat tjera janë jashtëzakonisht shumë cilësore dhe do të jetë mjaftë e vështirë të mposhten, por që me një përkushtim më të madh, “Flamurtari”, do të kthehet në binarë.

“Është ligë shumë kualitative, ka ekipe shumë të forta të organizuara mirë por shpresoj që me këtë grup të lojtarëve që janë teknikisht jashtëzakonisht të mirë dhe sigurisht edhe puna që është bërë edhe më herët ne do ta rrisim pak dozën në këtë drejtim dhe uroj dhe shpresoj që Flamurtari të kthehet në binarë”, shtoi më tutje Selimi.

Optimist me ardhjen e trajnerit të ri është shprehur edhe kapiteni i skuadrës Korab Hasani. Madje, ai thotë se “Flamurtari”, e ka vendin edhe në Superligën e Kosovës.

“Besoj që me ardhjen e re, profesorin Musa Selimi besoj edhe shumë shpresoj që do të dalim nga ajo krizë dhe do të dalim nga kjo pozitë sepse Flamurtari nuk e ka vendin aty. Flamurtari është klub me traditë në futbollin kosovarë dhe një Flamurtari i duhet edhe Superligës por momentalisht i kemi synimet që të mbesin në Ligën e Parë”, tha Hasani.

Ndërsa, vet presidenti i klubit Ymer Ademi thotë se skuadra përtej angazhimit ka nevojë edhe për fat.

“Unë jam optimist, gjithmonë në jetë jam optimist dhe nuk dorëzohem asnjëherë kështu që edhe kësaj here jam shumë i bindur se do të mbesim në këtë ligë edhe do të na kthehet edhe fati sepse megjithëse nuk e kemi ekipin e dobët por edhe fati më duket në futboll nganjëherë ta kthen shpinën dhe nuk ke sukses”, theksoi Ademi.

Me “Flamurtarin”, trajneri Musa Selimi do të debutojë në ndeshjen kundër Ramiz Sadikut, sfidë kjo e vlefshme për xhiron e 16-të në Ligën e Parë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot