Mbajtja e zgjedhjeve në Ukrainë mbetet e pamundur për shkak të kufizimeve ligjore, rreziqeve të sigurisë dhe sfidave në sigurimin e procesit demokratik.
Kështu tha sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Forumin "Ukrainë - Viti 2025".
"Çështja e zgjedhjeve u ngrit nga Federata Ruse. Ka shumë informacione për të. Tema ka marrë rëndësi edhe në Shtetet e Bashkuara, gjë që nuk na befasoi. Megjithatë, partnerët tanë nuk e kanë ngritur kurrë këtë çështje me ne", vuri në dukje Zelensky, transmeton Ukrinform.
Presidenti i Ukrainës beson se kjo valë e re debati për zgjedhjet është e rrezikshme dhe mund të përdoret si një instrument presioni ndaj Ukrainës. Ai theksoi se nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani, siguria do të ishte prioriteti kryesor, pasi zgjedhjet duhet të jenë të sigurta dhe demokratike për tu njohur si legjitime.
Zelensky kujtoi se vetëm mbrëmë ushtria ruse lëshoi 267 dronë në të gjithë Ukrainën që është dëshmi e qartë e synimeve të vërteta të Rusisë dhe një kontradiktë e drejtpërdrejtë me pretendimet e saj se ajo dëshiron ti jep fund luftës.
"Çfarë do të ndodhë me votimin në rajonet Sumy dhe Kharkiv? Po Kupyansk, ku njerëzit po evakuohen? Si do të organizohet votimi atje? A mund të votojnë njerëzit jashtë vendit? Si do ta përgatisim infrastrukturën për votim? Kush do të monitorojë zgjedhjet në fushat e betejës? Sa vëzhgues do të vijnë në të vërtetë dhe a do të jenë të gatshëm të shkojnë në vende si Pokrovsk?"
Zelensky theksoi se këto janë çështje kyçe sepse nëse një pjesë e madhe e popullsisë nuk mund të votojë, zgjedhjet nuk do të jenë të drejta.
"A duhet të vendosim që votimi nuk do të lejohet brenda një zone të caktuar të zonave luftarake aktive? Por edhe atje jetojnë njerëzit! Nuk mund të përjashtojmë thjesht rajone të caktuara nga votimi - kjo do të ishte jodemokratike dhe e gabuar," nënvizoi ai.
Një shqetësim tjetër madhor është organizimi i zgjedhjeve në territoret e pushtuara përkohësisht, pasi Rusia mund të tentojë të manipulojë ose prishë procesin zgjedhor.
Zelensky kujtoi se me ligj, zgjedhjet nuk mund të mbahen në gjendje lufte. Nëse ligji ushtarak do të hiqej vetëm për hir të zgjedhjeve, do të detyronte shumë ushtarë të largoheshin nga fushat e betejës për të votuar, të cilat Rusia mund ti shfrytëzonte ushtarakisht.
"Situata aktuale dhe mesazhet që dëgjojmë nga burime të ndryshme tregojnë se duhet të marrim parasysh të gjitha rreziqet. Fatkeqësisht, disa nga partnerët tanë po përhapin dezinformata. Nuk besoj se presidenti Trump personalisht mendon kështu. Nuk dua ta besoj, sepse partneriteti ynë strategjik është i rëndësishëm. Prandaj e quaj dezinformim", shtoi ai.
Kujtojmë, presidenti amerikan Donald Trump në fillim të kësaj jave e quajti Zelenskyn një "diktator" që refuzon të mbajë zgjedhje në Ukrainë.