Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga kjo javë do të fillojë numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe atyre nga jashtë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha të dielën për Klankosova.tv se kjo do të bëhet pasi të përfundojnë procedurat paraprake.
“Pas përfundimit të të gjitha procedurave, siç janë: skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në vendvotimet e rregullta me qëllim të krahasimit me votuesit nga vendvotimet me kusht; vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, KQZ do të fillojë me numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës. Kjo do të bëhet gjatë javës së ardhshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe sigurisht se mediat dhe vëzhguesit do të njoftohen me kohë”.
Pasi të numërohen edhe votat e fundit, Elezi thotë se “materialet zgjedhore të vendvotimeve, ku bëjnë pjesë edhe lista e votuesve në të cilën janë nënshkruar qytetarët që kanë votuar, dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”.
“Të shtunën, në QNR ka filluar skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në 2,533 vendvotime të rregullta në ditën e zgjedhjeve. Skanimi i listës së votuesve të vendvotimeve të rregullta është i domosdoshëm para se të fillojmë me numërimin e votave nga vendvotimet me kusht, sepse na ndihmon që të sigurohemi se askush nuk ka votuar dy herë, në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht. Pasi të kryhen këto procese, do të mund të fillojë numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës”, tha ai.
Elezi theksoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, aktualisht po e bën vlerësimin e pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi përmes postës.
“Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më 22 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 60,997 pako, prej të cilave janë aprovuar 56,947 ndërkaq janë refuzuar 4,050. Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim; etj. Procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen edhe 7,718 pako me fletëvotime”.