Në përvjetorin e tretë të fillimit të luftës në Ukrainë, banorët e Kievit shprehën pikëpamjet e tyre mbi situatën mes thellimit të pasigurve mbi angazhimin e administratës amerikane për të ndihmuar vendin e tyre të në luftën kundër forcave ruse.
Viktoriia Ilkovych, pedagoge në Universitetin Kombëtar të Kievit, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se ndërprerja e luftimeve nuk është një vendim i mirë për Ukrainën, pasi kjo sipas saj, do të mundësonte grumbullimin e ushtrisë rus.
"Në afat të shkurtër, është një plus, por në një periudhë afatgjatë është një minus i madh për ne, duke pasur parasysh se me shumë gjasa do të humbasim plotësisht shtetësinë tonë”, thotë ajo.
Studentja Karyna Bui thotë se gjatë kohëve të fundit morali në Ukrainë është zbehur.
"Më duket se kjo është situata më e keqe në këto tre vite. Morali i shoqërisë nuk është i njëjtë, ka kaq pak besim sa ata që kanë mundësi të largohen po e braktisin vendin. Ata po ndërtojnë jetën e tyre diku jashtë”, thotë studentja 18 vjeçare.
Banori i Kievit, David Derevlianyi thotë se ukrainasit duhet të qëndrojnë të bashkuar, jo vetëm në kohë lufte por edhe në kohë paqeje.
“Sepse Rusia po përpiqet të përçajë popullin tonë. Jo vetëm këtu, shikoni Rumaninë, Gjermaninë, të gjitha vendet e Evropës dhe madje edhe Shtetet e Bashkuara. Pra, ne duhet të vazhdojmë të luftojmë për vendin tonë, për flamurin dhe komunitetin tonë dhe për të gjithë botën e lirë”, thotë ai.
Ukrainasit shprehën mbështetje për Presidentin Volodymyr Zelensky dhe bindjen se vendi i tyre do të mbizotërojë.
“Ukraina nuk është një vend që mund të pushtohet në tre ditë. Rusët nuk kanë arritur të na thyejnë për 300 vite. Janë munduar por nuk ja kanë arritur” , thotë për agjencinë e lajmeve ‘Reuters’ Yevheniia Bondini, banore e Kievit.
Mijëra civilë kanë vdekur në luftë, shumica dërrmuese e tyre ukrainas.
Presidenti Volodymyr Zelensky u tha ukrainasve të hënën se është krenar me heroizimin që ata kanë treguar. Presidenti amerikan, Donald Trump e ka quajtur zotin Zelensky një ‘diktator’ dhe e ka paralajmëruar atë se duhet të lëvizë me shpejtësi, për të arritur paqen me Rusinë, ose në të kundërtën rrezikon të humbasë vendin e tij.
Ndryshimi i tonit të Shteteve të Bashkuara, mbështetësit më të rëndësishëm të Ukrainës, ka alarmuar zyrtarët evropianë dhe ka ngjallur frikën se Kievi mund të detyrohet të arrijë një marrëveshje paqeje që favorizon Presidentin rus Vladimir Putin.
“Unë se mbështes Zelenskyn si President të Ukrainës. Në kohë luftë ne jemi të bashkuar, të gjithë e mbështesim Presidentin tonë”, thotë Andrii Oleniuk, banor i Kievit.
Një banore tjetër uron që lufta të përfundojë së shpejti.
“Ky është vendi ynë, toka dhe territori ynë. Duam që lufta të përfundojë sepse nuk na ka mbetur më forcë”, thotë Inna Zaitseva, banore e Kievit.
Të dielën, në prag të përvjetorit të tretë të luftës, zyrtarët ukrainas thanë se Rusia sulmoi gjatë natës me 267 dronë, më shumë se në çdo sulm tjetër të vetëm nga fillimi i luftës./VOA