Leao: Lazio si finale, na duhet vendi i katërt

- Bota Sot

Leao: Lazio si finale, na duhet vendi i katërt

Rafael Leao (midis 2019/20 dhe 2024/25) është lojtari i parë i Milanit që shënon më shumë se pesë gola për gjashtë sezone radhazi në Serie A që nga koha kur diçka të tillë e bënte Rikardo Kaka (6 mes 2003/04 dhe 2008/09).A mund të bëni një analizë të ndeshjes me Bolonjën dhe momentit të Milanit?

Situatë shumë e vështirë, padyshim, por ka ende shumë ndeshje për të luajtur. Tani le të përpiqemi të bëjmë një paraqitje sa më të mirë në shtëpi kundër Lacios për t’u treguar të gjithëve se çfarë mund të bëjmë. Ajo ndaj Bolonjës ishte një ndeshje e çuditshme, nuk luajtëm futboll të mirë, por luajtëm siç donte trajneri, pra me topin e gjatë dhe në atë mënyrë erdhi edhe goli. Qasja ishte fantastike në pjesën e parë, ishim të zotë në fushë, taktikisht të gjithë ishin në lartësinë e duhur.

Pastaj çfarë ndodhi?

Pastaj shënuam një gol të çuditshëm, por nuk dua të flas për atë episod. Por përtej kësaj, qëndrimi i pjesës së parë, nëse do ta kishim bartur edhe në pjesën e dytë, do të kishte qenë një ndeshje ndryshe. Ndaj mund të them vetëm që është faji ynë.

A është ky momenti më i keq që kur keni ardhur në Milano?

Është një periudhë pak e vështirë, por e dimë se tani duhet të tregojmë diçka më shumë. Duke filluar që nga ndeshja me Lacion. Është një çështje për të qenë apo jo në Ligën e Kampionëve dhe ne të gjithë duam ta luajmë atë turne. Jam i sigurt se ndeshje e radhës në “San Siro” mund të jetë një pikënisje.

Pasi ndëshkoheni duket sikur çoroditeni…

Kur Konseisao mbërriti, ne fituam pavarësisht se ishim në disavantazh në shumë raste. Edhe me Parmën. Por në ndeshjet e fundit ne kemi pasur vështirësi kur pësojmë gol. Duhet të shohim më thellësisht se çfarë bëjmë mirë dhe çfarë jo. Duhet të shohim përpara, unë, më të vjetrit e grupit, trajneri, të gjithë. Sezoni nuk mbaroi në Bolonja.

Çfarë i thatë njëri-tjetrit në dhomat e zhveshjes?

Ajo që thuhet në dhomat e zhveshjes nuk nxirret në media. Ajo që mund të them është se jemi të zhgënjyer. Ajo ndaj Bolonjës ishte si një finale. Duhet të ngrihemi përsëri.

Por nëse flisni për finalen, pse hyni në fushë me atë qëndrim?

Mendon se nuk donim të fitonim?! Futbolli kështu e ka. Ne duhet të bëjmë atë që kërkon trajner. Bëmë atë që kërkoi, pastaj janë detajet që vendosin gjithçka. Ndoshta nevojitej më shumë vullnet në çdo veprim. Sidoqoftë, duhet të mësojmë nga gabimet. Edhe kur fitojmë. Duhet të ngremë kokën dhe të vazhdojmë të punojmë sepse na pret një tjetër ndeshje e vështirë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot