Fitore me cinizëm për Shkëndijën që shtonë diferencën në krye të renditjes kundrejt ekipeve ndjekëse.
Një gol i Ibrahim Alhassanit në pjesën e parë i dha fitoren e 13-të sezonale. 1:0 përballë Tikveshit në fund u tregua mjaftueshëm për sukses të tretë të njëpasnjëshëm në kampionat.
“Besoj se është fitore më e rëndësishme se dy fitoret paraprake, për shkak se unë e dija se do të ishte ndeshje e komplikuar. Jam i kënaqur me këtë triumf më shumë se me dy ndeshjet e para, për shkak se gjithmonë ndeshjet që pritet se do të jenë më të lehta, dalin më të komplikuara.
Patëm mundësi t’ia lehtësonim vetes, nuk e bëmë dhe pastaj edhe vuajtëm edhe rezikuam në disa momente. Për hirë të vërtetës edhe ne kemi faj dhe në momente të caktuara duhet të pranojmë fajin, por mbi të gjitha jam i kënaqur me tre pikët”, deklaroi trajneri Jeton Beqiri.
“Është shumë e rëndësishme që rrethin e dytë ta mbyllim si skuadër e vendit të parë dhe kjo gjë sjell edhe beneficionet e veta sa i përket orarit të ndeshjeve që do të pasojnë.
Unë të them sinqerisht për momentin nuk kam interes të ndjeki asnjë rezultat tjetër, pasi jam koncentruar te ekipi jonë ku mundohemi të bëjmë maksimumin dhe normalisht duke fituar ne, futbolli ka tre rezultate dhe ekipet tjera normalisht se do të gabojnë. Unë deri këtë moment jam i kënaqur me rezultatet, duhet të jemi syçelë.
Deri në fund të kampionatit ka edhe shumë ndeshje dhe asgjë nuk ka përfunduar.
Realiteti flet se jemi në pozitë të mirë por gjithashtu duhet të përmendim faktin se asnjë skuadër, përfshi edhe neve, nuk jemi në formën maksimale. Unë gjatë javës ndjeki gjitha ndeshjet dhe kam një konstatim se çdo skuadër ka problemet e veta sa përket lojës dhe formës.
Shembull neve na ndodhi që në dy ndeshjet e para në pjesën e dytë të luajmë më mirë, sot ndodhi e kundërta. Në pjesën e dytë toleruam. Por është e rëndësishme të vazhdojmë të punojmë, të përmirësohemi, por më mirë e bën këtë kur ekipi fiton”, shtoi Beqiri.