Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka uruar të gjithë mësimdhënësit në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Ballkan dhe mbarë botën me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit.
Në një mesazh të publikuar në rrjetin social Facebook, Hoxhaj ka theksuar rolin historik dhe shoqëror të mësimdhënësve, duke kujtuar kontributin e tyre në edukimin dhe zhvillimin e brezave.
“Pavarësia dhe liria e Kosovës kanë lindë në mendje dhe në zemrat e mësimdhënësve, të nxënësve dhe të studentëve,” ka deklaruar Hoxhaj, duke vlerësuar rolin kyç të arsimtarëve në historinë e vendit.
Ai gjithashtu ka nënvizuar rëndësinë e mbështetjes dhe vlerësimit të mësuesve, duke theksuar se zhvillimi i një shoqërie varet nga cilësia e arsimit dhe motivimi i mësimdhënësve.
“Edhe sot, profesioni, përkushtimi dhe puna e mësimdhënësit është e shenjtë, sepse cilësia nga ekonomia në shoqëri varet nga cilësia në arsim. E cilësia në arsim varet nga ajo se sa është i paguar, i motivuar dhe i vlerësuar mësimdhënësi,” ka shtuar ai.
Për të shënuar këtë ditë të rëndësishme, Hoxhaj ka publikuar edhe një video-mesazh, ku ka shprehur mirënjohjen e tij për të gjithë ata që me përkushtim e pasion japin kontributin e tyre në edukimin e gjeneratave të reja.
Në fund të mesazhit të tij, Hoxhaj uroi të gjithë mësimdhënësit në Ditën e Mësuesit duke iu thënë se çdoherë do ta kenë mbështetjen e tij.