Kyriakos Mitsotakis i mbijeton mocionit të mosbesimit, parlamenti grek e rrëzon me 157 vota! Çfarë deklaroi kryeministri

- Bota Sot

Kyriakos Mitsotakis i mbijeton mocionit të mosbesimit, parlamenti grek e rrëzon me 157 vota! Çfarë deklaroi kryeministri

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë të kryeministrit grek  Kyriakos Mitsotakis, i paraqitur nga PASOK, SYRIZA, E Majta e Re dhe Kursi i Lirisë dhe 9 deputetë të pavarur, u rrëzua me 157 vota. Ndërsa pro mocioni votuan 136 deputetë.

Votimi u mbajt menjëherë pas përfundimit të fjalimit të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, i cili sulmoi opozitën duke folur për një “aleancë të të eturve për nihilizëm dhe mbi të gjitha për mungesën e ndonjë propozimi alternativ bindës”.

Kryeministri grek u shpreh i gatshëm për të vazhduar me ndryshimin e dispozitave për drejtimin e gjyqësorit, si dhe rishikimin e nenit 86 të ligjit për përgjegjësinë ministrore. Ai i bëri thirrje gjithashtu presidentit të PASOK-ut që të japë pëlqimin për përcaktimin kushtetues të vlerësimit në shtet dhe ndryshimin e nenit 16 për universitetet.

Po ashtu kryeministri Mitsotakis tha se në javët në vijim qeveria do të prezantojë programin e ri të armatimit të vendit për 12 vitet e ardhshme, ndërsa do të shpallë edhe rritjen e re të pagës minimale.

Nga 1 korriku ai tha se do të ketë 100 euro rritje për të gjithë personat me uniformë. Ai tha se politika ekonomike e qeverisë do të përfundojë në vitin 2027 dhe tha se në të njëjtin vit do të mbahen zgjedhjet për të rinovuar mandatin popullor për ND.



Lexoni të gjitha në Bota Sot