Xavi Hernandez ka reflektuar mbi periudhën e tij si trajner i Barcelonës, duke pranuar disa gabime menaxheriale dhe vlerësuar talentet e rinj të klubit. Në një intervistë për “France Football”, ai bëri një bilanc të dy viteve e gjysmë në krye të ekipit blaugrana:
“Duke parë prapa, bilanci ynë, përfshirë edhe stafin tim teknik, është shumë pozitiv, sepse klubi ndodhej në një nga situatat më të vështira në historinë e tij, madje më keq se në fillim të viteve 2000”.
Legjenda e Barcelonës pranoi se pritshmëritë ndaj tij ishin shumë të larta për shkak të së kaluarës si lojtar: “Lidhja ime e thellë me Barçën ndonjëherë ka shkuar kundër meje.
Ndoshta kam qenë shumë sentimental, por kjo aventurë ishte një mësim i vërtetë. Pranoj se kam bërë disa gabime në menaxhim”.
Nga ana taktike, ai theksoi se largimi i Sergio Busquets ndikoi shumë: “U detyruam të rikonceptonim lojën tonë dhe zgjodha një mesfushë me tre lojtarë ofensivë. Kjo zgjedhje nuk dha gjithmonë rezultatet e pritura”.
Pavarësisht vështirësive, Xavi është krenar për brezin e ri të futbollistëve: “Përtej trofeve, jam krenar që besova te një brez i ri lojtarësh si Fermín López, Lamine Yamal, Pau Cubarsí dhe Alejandro Balde. Këta të rinj përfaqësojnë të ardhmen e klubit katalanas”.
Xavi zbuloi se klubi katalanas e kishte kontaktuar dy herë më parë për ta marrë si trajner, por nuk ishte ndjerë gati: “Para thirrjes së Laportës, Barça më kishte kërkuar dy herë, por unë nuk ndihesha ende gati. Kam kaluar dy sezone e gjysmë tek Al Sadd, ku mësova, eksperimentova dhe fitova tituj”.
Xavi vlerësoi punën e bërë gjatë një viti e gjysmë te Barça: “Kishim një projekt të mirë me Mateu Alemany dhe Jordi Cruyff, që na lejoi të përfundonim në vend të dytë të La Liga-s dhe të fitonim titullin kampion më 2023, si dhe Superkupën e Spanjës. Pastaj, rezultatet nuk ishin aq të mira. Largimi i Jordi dhe Mateu ishte një goditje e rëndë”.