Rutte: SHBA-ja është e përkushtuar në NATO dhe KFOR

- Bota Sot

Rutte: SHBA-ja është e përkushtuar në NATO dhe KFOR

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në aleancë dhe në misionin paqeruajtës në Kosovë, KFOR.

Gjatë një tryeze diskutimi në Prishtinë më 11 mars me gazetarë, pasi zhvilloi takime me krerët shtetërorë, Rutte tha misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, ofron siguri dhe stabilitet për të gjitha komunitetet, por shtoi se zgjidhja për paqe afatgjatë është politike.

“SHBA-ja është e përkushtuar tërësisht në KFOR, në NATO. Presidenti [amerikan, Donald] Trump para dy javësh në Zyrën Ovale u takua me presidentin francez dhe kryeministrin britanik dhe u përkushtua për nenin 5 dhe NATO-n. E di që SHBA-ja është e përkushtuar në KFOR”, tha Rutte.

Çështja e rishqyrtimit të pozicionit të Uashingtonit në Evropë ka nisur të qarkullojë pas deklaratave të bëra nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në shkurt, kur ka thënë se evropianët nuk mund të presin që prezenca ushtarake amerikane në kontinent do të zgjasë përgjithmonë.

Nga afër 100.000 trupa amerikane në Evropë, 600 prej tyre janë në Kosovë në kuadër të KFOR-it, që në total i ka rreth 4.600 pjesëtarë.

Ditë më parë, Departamenti amerikan i Mbrojtjes i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tani për tani nuk ka ndonjë ndryshim të planifikuar sa i përket pozicionit të forcave të tyre.

Rutte tha se administrata Trump ka tejkaluar ngërçin sa i përket luftës së Rusisë kundër Ukrainës, duke mbajtur bisedime për përfundimin e luftës me Rusinë dhe Ukrainën. Ai tha se ka mundësi që administrata amerikane të tentojë të kontribuojë në zgjidhjen e ngërçit edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Le të shohim se çfarë roli mund të luajë SHBA-ja në këtë rajon, që të kemi një zgjidhje afatgjatë në rajon ku do të kishte raporte të mira fqinjësore dhe normalizim të situatës”, tha Rutte.

Rutte foli edhe për marrëveshjen mes Kosovës dhe NATO-s që nuk ia lejon Forcës së Sigurisë së Kosovës që të shkojë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – pa miratimin e aleancës.

“Për aq kohë sa nuk ka një marrëveshje të re, duhet të respektojmë marrëveshjen ekzistuese. Marrëveshja thotë se nëse FSK-ja dëshiron të dislokohet diku, veçmas në veri, duhet të ketë dakordim paraprak me KFOR-in. Kur bëhet fjalë për Policinë e Kosovës, nëse janë afër kufirit, është e rëndësishme që të paktën ata të njoftojnë në kohë KFOR-in. Duam që kjo të vazhdojë dhe e di që Qeveria është e përkushtuar për këtë”, tha shefi i NATO-s.

“Sigurisht, nuk mund të parashikoni nëse gjërat do të ndryshojnë me kalimin e kohës. Por, nuk ka asgjë të re për të cilën mund t’iu njoftoj tani në këtë drejtim”, shtoi ai.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX. Ky mision, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë e vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq, i pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse forcat e mundshme paqeruajtëse të udhëhequra nga Evropa në Ukrainë mund të çojnë në ndryshimin e pranisë së KFOR-it në Kosovë ose në garancitë e sigurisë që NATO ofron në Kosovë, Rutte tha se ajo që nevojitet fillimisht në Ukrainë është një marrëveshje paqeje.

“Pastaj duhet të hartohet një mision për garancitë e sigurisë. Aktualisht, francezët dhe britanikët po marrin drejtimin e këtij debati. Më pas, duhet të shohim se çfarë do të thotë kjo për praninë e trupave në krahun lindor, por edhe këtu në Ballkanin Perëndimor. Por, deri atëherë do të kemi kaluar tri hapa përpara dhe nuk dua të flas për çka nëse".

Disa fuqi evropiane kanë thënë se janë të gatshme të dërgojnë një mision paqeruajtës në Ukrainë për të mirëmbajtur paqen, nëse do të arrihej një marrëveshje armëpushimi dhe marrëveshje e paqes.

SHBA-ja po zhvillon diplomaci me ritëm të shpejtë javëve të fundit, duke tentuar që ti jepet fund luftës trevjeçare mes Rusisë dhe Ukrainës. Uashingtoni është takuar me përfaqësuesit rusë dhe më 11 mars ka zhvilluar bisedime edhe me një delegacion të Ukrainës./REL



Lexoni të gjitha në Bota Sot