Nuhiu: Të dalim pozitiv nga ky takim

- Bota Sot

Nuhiu: Të dalim pozitiv nga ky takim

Trajneri i Gjilanit, Ardian Nuhiu, ka bërë thirrje për vendosshmëri, zjarr, pasion dhe përkushtim maksimal para duelit të së mërkurës ndaj Malishevës, të cilën skuadra e tij e luan në udhëtim.

Tekniku i “kuqebardhëve” ka vlerësuar lartë kundërshtarin e nesërm, ndërkohë që ka bërë thirrje grupit që të qëndrojnë të bashkuar, pasi që kjo është rruga e vetme e cila i orienton ata drejt suksesit.

“Le të vazhdojmë me këtë vendosshmëri, me këtë zjarr, me pasion dhe përkushtim maksimal për çdo ndeshje.

Të luftojmë të bashkuar të gjithë së bashku, sepse kjo është rruga që na dërgon aty se ku duhet të shkojmë. Megjithëse në kohë të shkurtër për ta përgatitur këtë ndeshje, kemi analizuar kundërshtarin për mënyrat se si luan dhe kemi përcjellë mesazhin e duhur te lojtarët.

Por, gjithashtu do të përqendrohemi te potenciali dhe momenti jonë i mirë, dhe forca e grupit e cila është e bashkuar dhe e uritur për sukses.

Besoj që në këtë formë do të zhvillojmë një ndeshje të mirë, ndaj një kundërshtari të fortë, i cili njëherit është ndër rivalët konkurent për zonën evropiane. Me përkushtim maksimal nga i gjithë grupit, besojmë që do ta kalojmë me sukses”.

Nuhiu ka potencuar faktin se skuadra e tij është e përgatitur vetëm për duelin e nesërm ndaj Malishevës dhe nuk mendojnë për ndeshjet e tjera, pasi që plani është të shkohet ndeshje pas ndeshje.

“Skuadra është përmirësuar shumë. Përveçse jemi përmirësuar në aspektin e lojës, më pëlqen edhe mënyra e të menduarit. Tani mendojmë gjëra pozitive dhe jo rastësisht po i marrim gjëra pozitive. Nuk shohim më larg se ndeshja e nesërme. Përqendrimi dhe fokusi maksimal do të jetë vetëm te ndeshja e nesërme. Duhet të jemi te performanca jonë më e mirë që të dalim pozitiv nga ky takim. Besoj që jemi të përgatitur edhe në aspektin mental për të luftuar dhe për të bërë një ndeshje të madhe nesër”.

Përballjen ndërmjet dy skuadrave e konsideron si më të rëndësishme se përballjen ndërmjet dy trajnerëve, ani pse ka vlerësuar homologun e tij te Malisheva.

“Rrespekt për kolegun Bekim Isufi. Çdo kolegë që kemi përballë na ndihmon të zhvillohemi si trajner duke analizuar njëri tjetrin. Por, kjo përballje është ndërmjet Malishevës dhe Gjilanit dhe jo përballje ndërmjet dy trajnerëve. Gjilani ka patur trajner të mëdhenj, mirëpo e rëndësishme është skuadra, pasi që skuadra është më e madhe se trajneri”.

Orari i ngjeshur i ndeshjeve ka vështirësuar jo pak punët, mirëpo Nuhiu dhe stafi tij janë të përgatitur për këtë gjë.

“Jemi përgatitur në fillim të kampionatit dhe kemi planifikuar që mund të kemi orar të ngjeshur, për atë nuk kemi vetëm 11-të futbollistë, por kemi edhe futbollist të tjerë të cilët po e presin momentin dhe në këtë ndeshje do të kemi futbollist të cilët janë të gatshëm për ta dëshmuar një gjë të tillë”.

Rrugëtimi i fitores ndaj Feronikelit ’74 e ka ngritur ekipin në aspektin moral dhe ka përmirësuar performancën e tyre.

“E rëndësishme është të luajmë gjithmonë mirë, mirëpo rëndësi ka edhe karakteri i futbollistëve për t’u mos u dorëzuar në asnjë moment, madje të fitohet ndeshja edhe nga një penalti i pritur nga portieri. Feronikeli ’74 na ka bërë një ndeshje të vështirë dhe ne kemi marrë leksionet e duhura dhe na ka rritur si skuadër”.

Në fund Nuhiu foli edhe për futbollistët të cilët do të mungojnë në duelin e së mërkurës ndaj Malishevës.

“Kemi mungesën e futbollistëve të lënduar Robert Rrahmani, Endri Reçi dhe Leon Miftari, ndërkohë që Armend Thaqi nuk do të jetë në dispozicion për shkak të pezullimit të kartonëve. Pjesa tjetër e grupit janë të gatshëm”.

Dueli ndërmjet Malishevës dhe Gjilanit zhvillohet të mërkurën më 12 mars në stadiumin “Liman Gegaj” të Malishevës me fillim nga ora 14:00.



Lexoni të gjitha në Bota Sot