Surpriza është e madhe në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës, edhe për fituesin e zgjedhjeve. Partia e Demokratëve socialliberalë nuk e kishte pritur një sukses kaq të qartë, thotë nënkryetarja e saj Anna Wangenheim: "Ne e kishim kuptuar se kishim shumë mbështetje, por që do të bënim një hap kaq të madh përpara është historike."
Populistët shtojnë mbështetjen
Zgjedhjet në ishullin e largët të Arktikut kishin krijuar vëmendje të paprecedentë pas njoftimit të Donald Trumpit se donte ta merrte Groenlandën. Disa populistë groenlandezë janë të hapur ndaj ofertave të Presidentit amerikan. Dhe partia e tyre, Naleraq, po feston gjithashtu përparim të madh. Nga ana tjetër, qeveria e mëparshme pësoi një disfatë.
Për Søs Marie Serup, komentatore politike për kanalin televiziv danez TV2, fitorja e opozitës në zgjedhje shkon në favor të Trumpit. Ajo e sheh këtë si një sinjal nga votuesit groenlandezë se diçka duhet të ndryshojë dhe në dy drejtime që janë të favorshme për Trumpin dhe agjendën e tij: "Ne shohim një Naleraq të fortë. Trumpi mund ta interpretojë këtë si shenjë që njerëzit duan të largohen nga Danimarka. Dhe suksesi i demokratëve mund të interpretohet si një shenjë që njerëzit duan të vazhdojnë zhvillimin e ekonomisë. Dhe pikërisht kjo është ajo mund të thotë Trumpi "Pikërisht këtë duam tju ofrojmë"".
Fitore për shkak të fokusimit në çështje konkrete
Por Mikaela Engel, ish-përfaqësuese e Mbretërisë së Danimarkës në Groenlandë, ka një mendim krejtësisht të ndryshëm. Duke folur për kanalin televiziv DR, ajo deklaroi: "Demokratët janë ata që kanë folur më së paku për pavarësinë, Trumpin dhe Shtetet e Bashkuara gjatë fushatës zgjedhore. Në vend të kësaj, ata janë fokusuar në çështje të afërta me njerëzit. Dhe mendoj se kjo është arsyeja pse ata morën kaq shumë vota”.
Demokratët socialliberalë mbrojnë forcimin e ekonomisë dhe sistemit të kujdesit shëndetësor, çështje që janë shqetësuese për votuesit. Varfëria dhe papunësia janë një problem i madh në Groenlandë. Sa i përket pavarësisë, partia ecën me ritëm të kujdesshëm. Motoja është se Groenlanda nuk mund të ecë me të vërtetë drejt pavarësisë derisa të vendoset një themel i fortë.
Përmbajtje në Kopenhagë
Deri sot, ishulli, me një popullsi prej rreth 56.000 banorësh, është ende shumë i varur nga ish-fuqia koloniale, Danimarka. Gjendja e marrëdhënieve është e ndërlikuar. Në Kopenhagë, politikanët reaguan me kujdes ndaj rezultateve të zgjedhjeve.
Ministri i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen tha: "E ardhmja e Groenlandës varet nga dëshirat e popullit dhe qeverisë së Groenlandës. Prandaj tani duhet të presim se çfarë qeverie do të ketë dhe çfarë programi do të ketë”.
Trumpi dhe pavarësia - jo tema debati
Edhe kreu aktual i qeverisë, socialist demokrat, Egede, ka gjithashtu mundësi të jetë pjesë në një koalicion të ardhshëm me partinë e tij. Megjithatë, ai ka të ngjarë të japë dorëheqjen si kreu i qeverisë.
Drejtimin e qeverisë mund ta marrë Jens-Frederik Nielsen, vetëm 33 vjeç. Natën e zgjedhjeve, ai i tha DR: "Së pari duhet ta përtyp të gjithë këtë. Duhet të shohim nëse mund të marr shumicën për të formuar një qeveri”.
Nielsen dëshiron të fokusohet së pari te shteti i mirëqenies, jo te pavarësia apo te Trumpi. Nëse bëhet fjalë për nxitjen e ekonomisë së Groenlandës, Shtetet e Bashkuara mund të luajnë një rol, por asgjë më shumë. Edhe për këtë çështje ai është dakord me groenlandezët: sipas një sondazhi, 85% e tyre nuk duan të jenë pjesë e SHBA./DW