Imazhet e Virgil van Dijk dhe "bisedës së gjatë" që pati me presidentin e PSG, Al-Khelaifi dhe drejtorin sportiv Campos, tashmë kanë bërë xhiron e internetit, duke shkaktuar ndjenja negative mes tifozëve të Liverpool-it.
Jo rastësisht, por sepse kapiteni dhe mbrojtësi holandez është në përfundim të kontratës me “Reds”. Në fund të sezonit del lojtar i lirë, por ende nuk i ka shuar dyshimet mbi të ardhmen e tij, për shkak të mungesës së rinovimit me klubin anglez.
Aktualisht kryesuesi i Premier League me 15 pikë avantazh nga ndjekësi më i afërt, me 10 ndeshje ende për t’u luajtur, Van Dijk është detyruar t’i thotë lamtumirë Champions League para kohe, pas eliminimit nga PSG në “Anfield”.
Pas ndeshjes, ndër të tjera, ka prekur edhe temën e ndjeshme të së ardhmes së tij: "Nuk kam asnjë ide. Nuk kam ende asnjë ide për momentin, vërtet. Nuk kam asnjë ide për momentin".
Qendërmbrojtësi 33-vjeçar nuk ka sqaruar asgjë: "Nuk është pezull, asgjë nuk është pezull. Vazhdimisht e përsëris të njëjtën gjë. Dëgjoni, kanë mbetur edhe 10 ndeshje për t’u luajtur, që kërkojnë përqendrim të plotë.
Nëse do të ketë ndonjë lajm, do ta mësoni. Për momentin as vetë nuk e di të ardhmen.
Të gjithë e dinë që ka disa diskutime prapa skenave, por vetëm kaq. Për momentin, as vetë nuk e di se çfarë do të ndodhë sezonin e ardhshëm. Nëse dikush thotë se e di, po gënjen".