UPZ ia ndau titullin “Doktor Nderi – Dr. Honoris Causa” Prof. Dr. Oliver Jens Schmittit

- Gazeta e Prizrenit

UPZ ia ndau titullin “Doktor Nderi – Dr. Honoris Causa” Prof. Dr. Oliver Jens Schmittit

Sot, në një atmosferë solemne, u zhvillua ceremonia për dhënien e titullit të lartë “Doktor Nderi – Dr. Honoris Causa” për Akademik Prof. Dr. Oliver Jens Schmitt, e cila u mbajt në amfiteatrin e madh të Universitetit “Ukshin Hoti” – Prizren. Ky titull i veçantë iu dha për kontributin e jashtëzakonshëm të Prof. Schmitt në fushën e historisë, studimeve për Ballkanin dhe lidhjeve ndërkombëtare, përcjell Gazeta e Prizrenit.

Ceremonia u hap nga moderatorja dr. Dorinë Rakaj, dhe më pas fjala iu dha Rektorit Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani ku theksoi rëndësinë e këtij titulli për universitetin dhe për rëndësinë që ka kontributi i Prof. Schmitt në njohjen dhe zhvillimin e historisë dhe kulturës shqiptare. Rektori Alishani, gjithashtu, nënvizoi angazhimin e universitetit për të vazhduar përpjekjet për të sjellë emra të njohur nga fusha të ndryshme të dijes dhe kërkimit shkencor.
Pas kësaj, Arsim Ademi, Zëvendësministër i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), e përshëndeti këtë ngjarje si një hap të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe komunitetit akademik ndërkombëtar.

Prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj, dekan i Fakultetit të Filologjisë, në fjalën e tij lexoi biografinë dhe kontributin e pasur të Prof. Dr. Oliver Jens Schmitt. Ai përmendi veprimtarinë e tij të gjatë dhe të suksesshme akademike, veçanërisht punën e tij në fushat e historisë dhe studimeve të Ballkanit, si dhe përkushtimin e tij për edukimin e brezave të rinj të historianëve.

Në një moment simbolik dhe me shumë respekt, Rektori Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, i dorëzoi Prof. Dr. Oliver Jens Schmitt certifikatën solemne të titullit “Doktor Nderi – Dr. Honoris Causa”, një çmim i merituar për kontributet e tij të jashtëzakonshme shkencore.

Në fjalën e tij, Prof. Dr. Oliver Jens Schmitt, i emocionuar, falënderoi universitetin dhe të pranishmit për këtë nder dhe titull të lartë. Ai e konsideroi këtë çmim si një motivim për të vazhduar angazhimin e tij për avancimin e dijes dhe shkencës. Më pas, Prof. Schmitt mbajti një ligjëratë të veçantë me titullin “Malet në Historinë Shqiptare”, ku theksoi rëndësinë e historisë natyrore dhe kulturore të malësive shqiptare dhe ndikimin e tyre në zhvillimin e kombit shqiptar.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe personalitete të shquara si: z. Nico Niederer,The Charge daffaires, i Ambasadës Zvicerane, Prof. Artan Hoxha, Rektor i Universitetit të Tiranës, Prof. Mihone Kerolli, Rektore e IBCM-së, Prof. Drilon Bunjaku, Rektor i Universitetit “Fehmi Agani” -Gjakovë, dhe Prof. Valter Memisha, Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Ky aktivitet ishte një moment i rëndësishëm për Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, dhe një mundësi për të promovuar vlera të shkencës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke sjellë emra të njohur dhe të respektuar nga fusha akademike globale.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit