Në asnjë moment të vetëm nuk ka qetësi në Beograd.
Gjatë gjithë natës njerëzit kanë “vluar”, duke ia mësyer kryeqendrës së Serbisë, nga të gjitha anët e këtij shteti, dhe jo vetëm.
As shiu që ra sonte nuk ua la as shenjë dhjetëra mijëra studentëve serbë, të cilët nuk e kanë ndërmend të zbrapsen me asnjë kusht.
Sigurisht se në mëngjes numri i protestuesve do të shumëfishohet, pasi vullneti për ta rrëzuar pushtetin e Alexandar Vuçiq, s’ka qenë kurrë më i madh.
Kjo pa asnjë dyshim e ka trembur edhe vetë liderin serb, që apelon që situata të mos eskalojë në asnjë mënyrë.
Madje, paralajmëroi se do të ketë edhe arrestime në rast të ndonjë incidenti.
Për protestën rekorde të së shtunës pritet të mblidhen qindra mijëra njerëz në qendër të Beogradit, të cilët ndër të tjera po e akuzojnë qeverinë aktuale për korrupsion të madh.
Poashtu, sllogani “me 15 mars për 15”, ka për qëllim të kujtojë 15 viktimat e rrëzimit të Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, si dhe të dërgojë një mesazh të qartë ndaj autoriteteve, kërkesën për drejtësi.