Efektet e së djathtës radikale në ndarjet shoqërore

- Bota Sot

Efektet e së djathtës radikale në ndarjet shoqërore

Paralajmërimi kundër ndarjeve është një paralajmërim i kohës sonë:Donald Trump po përçan SHBA-në, qeveria amerikane po përçan Perëndimin demokratik, partia e krahut të djathtë radikal Alternativa për Gjermaninë (AfD) po përçan shoqërinë gjermane, çështja e migrimit po përçan Evropën dhe mënyra se si bota po përballet me ndryshimet klimatike po përçan të gjithë planetin. Bota po polarizohet më shumë, me thellimin e hendekut midis grupeve sociale dhe vendeve të tëra, paralajmërojnë vëzhguesit.

Në të njëjtën kohë, numri i sfidave të përbashkëta po rritet. Luftërat, konfliktet, migrimi, tregtia, klima, çështjet sociale dhe përparimi teknologjik lidhin botën – pavarësisht ndarjeve dhe konflikteve.

Shoqëritë demokratike dihet prej kohësh se i zgjidhin më mirë problemet. Supozimi ishte: aty ku sfidat sociale diskutohen hapur, rritet mundësia për zgjidhje të mira të mbështetura nga shumica e gjerë.

Më pak gatishmëri për kompromis

Por shoqëria është polarizuar dhe gatishmëria për kompromis e mirëkuptim reciprok ka rënë. Atmosfera politike është bërë më e përçarë.

Të huajt shpesh në shënjestër të forcave djathtisteFotografi: Winfried Rothermel/picture alliance

Sociologu Nils Teichler nga Instituti i Kërkimeve për Kohezionin Social në Universitetin e Bremenit paralajmëron për pasojat e polarizimit. Nëse grupet shoqërore bllokojnë njëra-tjetrën, kompromiset politike bëhen të pamundura, analizon ai në një intervistë për DW.

"Sa më të paracaktuara janë qëndrimet ndaj grupeve të caktuara dhe sa më të mëdha të jenë dallimet në simpatinë për grupet bazuar në vetëm një faktor, aq më i kërcënuar është kohezioni social", thotë ai.

Në një studim të fundit mbi ndarjet sociale, një institut kërkimor ka zbuluar një efekt befasues: aty ku e djathta radikale është e fortë, efektet përçarëse përhapen shumë përtej elektoratit të saj. E thënë thjesht: në bastionet e AfD-së, edhe njerëzit që nuk votojnë për partinë kanë më shumë paragjykime ndaj pakicave.

Studiuesit shqyrtuan lidhjen midis sukseseve rajonale të Alternativës për Gjermaninë dhe simpatisë për grupe të caktuara shoqërore. "Ne gjetëm prova që në rajonet ku AfD është veçanërisht e suksesshme politikisht, njerëzit kanë më pak simpati për grupet dhe pakicat", thotë Teichler.

Kjo vlen kryesisht për migrantët, myslimanët, homoseksualët dhe njerëzit me arsim të ulët. "Kjo do të thotë se ka shenja të ndarjes në rajonet ku AfD është më e fortë." Cila është më e vjetër: përçarjet apo e djathta radikale? Sociologu Teichler thotë se të dy gjërat shkojnë paralelisht.

Instrumentalizimi i migrimit

Megjithëse edhe e djathta radikale paralajmëron edhe përçarje në shoqëri. Arsyeja kryesore sipas saj është: migrimi. Prandaj kërkon mbylljen e kufijve. Presidenti amerikan Donald Trump shpesh i përgjithëson emigrantët si kriminelë dhe njerëz të rrezikshëm. Udhëheqësja e AfD Alice Weidel iu referua myslimanëve si "burra me thika" dhe "vajza me shami".

Retorika populiste ka arritur në qendër të shoqërisë: edhe kancelari i ardhshëm gjerman,Friedrich Merz (CDU), në të kaluarën i është referuar fëmijëve nga familjet emigrante si "pasha të vegjël".

"Kthesa e krahut të djathtë që po përjetojmë aktualisht ka prekur pothuajse të gjitha partitë në Gjermani," thotë Cihan Sinanoglu, drejtor i Monitorit Kombëtar për Diskriminimin dhe Racizmin në Qendrën Gjermane për Kërkimin e Integrimit dhe Migracionit.

Ai thotë se socialdemokratët (SPD), të gjelbrit dhe liberalët (FDP) janë gjithashtu bashkërisht përgjegjës për disa nga ligjet më kufizuese në politikën e azilit dhe imigracionit.

Sinanoglu kritikon idenë se elektorati i së djathtës radikale mund të kthehet në qendrën politike përmes politikave kufizuese. Ai shton se një politikë e tillë sigurisht nuk është zgjidhje kundër politikave raciste të AfD-së. "Këtë e tregon shembulli i Gjermanisë Lindore, ku ka shumë më pak refugjatë dhe njerëz me origjinë migrante sesa në perëndim të vendit. Në të njëjtën kohë, këtu janë bastionet e AfD-së”.

Sociologu mirëpret një debat të hapur për migrimin dhe kufijtë e kapacitetit absorbues të një shoqërie. 

Pasoja e ndarjes: përjashtimi

Një dështim që ka një çmim të lartë. Mbi të gjitha tek komuniteti i emigrantëve, paralajmëron Sinanoglu në një intervistë për DW. "Për shembull, kur flasim vazhdimisht për migrimin e parregullt: migrantët e njohin shumë, shumë qartë se për kë bëhet fjalë në të vërtetë. Këtu ka paragjykime që përjashtojnë emigrantët edhe pas dekadash të jetesës në këtë vend."

Ajo që po ndodh aktualisht, thotë ai, është një shkombëtarizim simbolik i emigrantëve – me pasoja të mëdha sociale. "Njerëzit po tërhiqen, jetojnë me frikë, mendojnë të emigrojnë. Kjo vë një tendosje në marrëdhëniet tona, miqësitë tona," vëren Sinanoglu.

Që e djathta radikale thellon ndarjet, nuk është e diskutueshme. Por shoqëritë perëndimore si dhe liderët politikë – qoftë në Gjermani, Britani të Madhe, Francë apo SHBA – nuk po e trajtojnë shkakun e vërtetë të ndarjes në shoqëritë e tyre: çështjen sociale.

"Vendosja e çështjeve sociale në qendër të vëmendjes"

"Duhet të flasim për çështje materiale, duhet të vëmë në fokus çështjen sociale, në vend që të glorifikojmë idealet dhe vlerat që nuk do të zbatohen kurrë për një pjesë të madhe të shoqërisë”, kritikon Cihan Sinanoglu debatet abstrakte për kohezionin social.

Bëhet fjalë për qira të përballueshme, paga të drejta dhe mundësi për përparim social. Çështja e kohezionit dhe sigurisë në shoqëri matet gabimisht ekskluzivisht përmes prizmit të migrimit.

"Për sigurinë e kujt po flasim në të vërtetë? Njerëzit që tani po flasin për rendin dhe sigurinë në lidhje me migracionin janë të njëjtët që liberalizuan tregun e punës, i bënë vendet e punës të pasigurta dhe futën pasiguri në kushtet e jetesës së njerëzve", pohon ai. Rritja e së djathtës radikale në botën perëndimore, sipas sociologut Cihan Sinanoglu, është pasojë e ndarjes – por një pasojë sociale.DW



Lexoni të gjitha në Bota Sot