Jo vetëm Interi

- Bota Sot

Jo vetëm Interi

Përfundimi i fazës së 1/8-ave në Ligën e Kampioneve ka eliminuar nga kompeticioni edhe Atletikon e Madridit, duke e çuar në tre numrin e skuadrave që janë ende në garë për të bërë “poker” trofesh, pra, të fitojnë kampionatin, kupën, Champions-in dhe Botërorin e klubeve.

Tri ekipet që ëndërrojnë një fund sezoni të jashtëzakonshëm janë Interi, Reali i Madridit dhe PSG-ja. Të gjitha kanë ambicie për katër trofe në këtë sezon për të barazuar rekordin historik të Sëlltikut në vitin 1966-1967, që në fakt ishte i kompozuar në një mënyrë tjetër, duke qenë se nuk ekzistonte Botërori i klubeve.

Sëlltiku në atë kohë fitoi kampionatin, Kupën e Skocisë, Kupën e Ligës (që bëhet në disa vende të ndryshme, Angli dhe Portugali) dhe Kupën e Kampionëve (Champions-i). Në këtë të fundit mundën pikërisht Interin në finale.

INTERI- Zikaltrit i pret një sfidë shumë e vështirë në të gjitha kompeticionet. Në Serinë A ka një garë të fortë me Napolin dhe Atalantën, që do të luftojnë dhëmbë për dhëmbë dhe pikë për pikë deri në fund për të ndaluar Simone Inzagin që të fitojë 2 tituj radhazi. Në Kupën e Italisë, zikaltrit duhet që t’i bëjnë llogaritë me Milanin. Vështirësia shtohet akoma më shumë, duke parë bilancet e këtij sezoni ndaj kuqezinjve, 2 humbje dhe një barazim. Në rast kualifikimi, finalja do të jetë disi më e lehtë me njërën ndaj Bolonjës ose Empolit. Në Champions, gjithashtu rivali është i tmerrshëm. Bajerni i Mynihut është një ekip që duhet respektuar. Gjatë rrugës mund të shfaqet Barcelona dhe në fund Reali ose PSG-ja. Të paktën në teori. Sa i përket Botërorit të klubeve, është një diskutim shumë i hershëm sepse do të luhet në fundin e sezonit dhe teorikisht drejt finales mund të jenë Dortmundi, Siti, Juventusi ose Reali i Madridit.

REALI- Edhe Reali i Madridit ka një garë treshe në kampionat me Barcelonën, që për momentin është e para dhe Atletikon e Madridit. Sfida ndaj kushërinjve është e hapur edhe në Kupën e Mbretit në rast se “Los Blankos” do të eliminojnë Sociedadin dhe “Los Kolçoneros” do të eliminojnë Barcelonën pas barazimit 4-4 në sfidën e parë. Reali në Champions do të përballet me Arsenalin dhe në gjysmëfinale mes njërën mes Parisit dhe Aston Vilës.

Në finale do të gjejë një ekip të fortë si Interi, Bajerni, Barcelona ose Dortmundi. Në Botërorin e klubeve është i njëjti diskutim si me Interin. Gjithçka do të varet nga vendi ku do të mbyllin fazën e grupeve.

PSG– Nga të tria skuadrat PSG-ja është disi më e qetë sepse në kampionat ka një distancë 16 pikë me ekipin ndjekës më të afërt, që është Marseja, dhe në Kupën e Francës do të luajë kundër Dunkerke, skuadër e Ligës së dytë. Finalja do të jetë ndaj Kanës ose Reims.

E para në Serinë D franceze dhe e dyta në vendin e 15-të në Ligue 1. Kështu që Luis Enrike është më i përqendruar te gara në Champions, ku për momentin ka Aston Vilën dhe më pas Realin ose Arsenalin. Në rast se ekipet nuk do të bëjnë dot “poker”, do të jetë Tripletë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot