Komisioni Evropian ka kërkuar nga autoritetet serbe të realizojnë një hetim të plotë dhe të besueshëm për pretendimet se një armë e ndaluar, e njohur si “top zanor,” u përdor kundër protestuesve në Beograd gjatë demonstratave të së shtunës. Zëdhënësi i Komisionit, Guillaume Mercier, theksoi se ata presin një hetim të shpejtë dhe transparent për këto akuza, duke shtuar gjithashtu se autoritetet duhet të sigurojnë mbrojtjen e protestuesve nga çdo formë dhune.
Kur u pyet për besueshmërinë e hetimeve, duke pasur parasysh pakënaqësinë e qytetarëve ndaj qeverisë dhe kërkesën për dorëheqje, Mercier shmangu të komentonte, por përsëriti se qëllimi është që autoritetet të kryejnë hetimin.
Në lidhje me refuzimin e Serbisë për të lejuar gazetarët nga Kroacia dhe Sllovenia të hyjnë në vend, Mercier theksoi se Komisioni kërkon që Serbia të respektojë lirinë e medias dhe të sigurojë lëvizjen e lirë të gazetarëve dhe informacionit.
Po ashtu, zëdhënësja e Komisionit, Paula Pinho, konfirmoi se presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, do të ketë një bisedë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë një darke pune që do të mbahet më 25 mars.