Konakoviq: Dodik është terrorist dhe i çmendur, nuk ka dialog me terroristët

- Bota Sot

Konakoviq: Dodik është terrorist dhe i çmendur, nuk ka dialog me terroristët

Ministri i Jashtëm i BeH, Elemdin Konakoviq e quajti sot presidentin e Republikës Srpska (RS) Milorad Dodik "terrorist dhe të çmendur", duke deklaruar se "nuk ka dialog me terroristët".

"Dialogu në B dhe H është gjëja më e nevojshme, por jo dialogu me të çmendurit dhe terroristët. Dodik është edhe i çmendur edhe terrorist. Ai kërcënon qytetarët e RS, kërcënon me burg këdo që nuk ndjek politikat e tij skizofrenike," tha Konakoviç në një konferencë shtypi në Sarajevë.

Ai shtoi se "dialogu me njerëzit normalë dhe zyrtarët e zgjedhur nga RS është patjetër i nevojshëm.", shkruan Danas.

“Një vend mund të udhëhiqet me bujë, me deklarata nxitëse, ose pa bujë, me forcën e institucioneve, me punë të përkushtuar”, vlerësoi Konakoviç.

Duke komentuar lëvizjet e autoriteteve të RS, të cilët kanë miratuar ligje që ndalojnë funksionimin e disa institucioneve shtetërore gjyqësore dhe policore në territorin e RS dhe miratimin e ligjit për shërbimin kufitar të RS, ai deklaroi se edhe "gjatë sulmit ndaj rendit kushtetues të BeH, institucionet po bëjnë punën e tyre dhe asnjë proces nuk është bllokuar".

“Unë mbështes punën e krerëve të agjencive të sigurisë, të cilët nuk do të kishin dërguar anëtarë të Agjencisë së Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA) për të marrë Dodik në Laktash kur ai i dha urdhër Ministrisë së Punëve të Brendshme të RS për ta mbrojtur atë, ku mund të kishte ndodhur një konflikt i përgjakshëm gjatë arrestimit të kriminelit, ku disa të rinj mund të kishin humbur jetën”, tha Konakoviç.

Sipas tij, këto janë operacione strategjike që, siç ka paralajmëruar, do të zgjasin disa javë, transmeton KosovaPress.

"Vendimet e tilla ishin të mençura. Dodik planifikon të shkojë sot në Izrael. Si do ti kalojë kontrollet në aeroportin e Banja Lukës, a do të bëjë presion mbi disa pjesëtarë të Policisë Kufitare, si do të kthehet? (Kryetari i Asamblesë Kombëtare të RS-së Nenad) Stevandiç është në Beograd dhe nuk e di se si do të kthehet," tha Konakoviç.

Ai shtoi se “kështu do të jetë jeta e tyre derisa të arratisen diku ose të arrestohen”.

“Njerëzit nuk kanë arsye të frikësohen”, ka theksuar Konakoviq.

Duke komentuar njoftimin e autoriteteve të RS se do të krijonin një shërbim kufitar entiteti, Ministri i Punëve të Jashtme të BeH vlerësoi se është "plotësisht joreale të vihet në praktikë kjo ide".

"Duhet pasur kujdes kur arrestohet Dodik, por marrja e kufijve është anormale, skizofrenike dhe e çmendur. Njerëzit që udhëheq Dodik duhet ti thonë atij se ai është çmendur plotësisht," tha Konakoviç.

Ai shtoi se do të ketë "ende turbullira dhe pengesa" në punën e agjencive të sigurisë në nivel shtetëror, por se sistemi i sigurisë i BeH po funksionon.

"SIPA ka bërë sot kontrolle në Banalukë, Përnjavor, Gradishka. Për herë të parë procesi ka kokë e bisht", tha Konakoviç Duke folur për përshkallëzimin e mundshëm të situatës në BeH, ai vlerësoi se do të bëhet gjithçka për të parandaluar përsëritjen e luftës në BeH.

“Nuk jemi të papërgatitur për skenarin e dytë, por ne që ishim aktorët e skenarit më të keq të viteve 1990, do të bëjmë gjithçka që kjo të mos ndodhë”, ka theksuar Konakoviç.

Ai paralajmëroi ndryshime në Këshillin e Ministrave të BeH, duke deklaruar se ministri i ri i Sigurisë i BeH duhet të jetë nga partitë opozitare në RS.

I pyetur se si do ta komentonte arrestimin e bosit të drogës Edin Gaçanin Tito në Dubai, me të cilin mediat e kishin lidhur atë, Konakoviç tha se mirëpret arrestimin e kujtdo që ka lidhje me krimin, veçanërisht me trafikun e drogës.

"Mediat dhe Dodiku më kanë lidhur vazhdimisht me atë kartel. Nëse ai Gaçanin flet, do të shihni se kush është karteli," tha ai.

Ai shtoi se ishte “i gatshëm të bashkëpunonte me çdo agjenci për të gjitha detajet e jetës së tij”, duke deklaruar se “asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e ndonjë aktiviteti kriminal”.

"Po të isha, Dodikët dhe Bakirët do të më çonin nëpër Sarajevë si ariun për ti treguar popullit," tha ai, duke shtuar se Dodik dhe lideri i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) Bakir Izetbegoviç duhet të shqetësohen "nëse fillon të shtjellohet krimi" nga Sky, një aplikacion përmes të cilit komunikonin anëtarët e grupeve kriminale.



Lexoni të gjitha në Bota Sot